Lidhje

Bentler: "Nuk jemi pjesë e strategjisë për veriun e Kosovës"


Bentler: "Nuk jemi pjesë e strategjisë për veriun e Kosovës"

Bentler: "Nuk jemi pjesë e strategjisë për veriun e Kosovës"

Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali gjerman Markus Bentler tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se KFOR-i nuk është pjesë ë strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës. Ai tha se në atë pjesë të vendit ka ende rreziqe të kufizuara për gjendjen e sigurisë që sipas tij në përgjithësi është e qetë. Në intervistën dhënë korrespondenti tonë në Prishtinë Besim Abazi, gjenerali Bentler tha se përmirësimi i shkallës së sigurisë ka lejuar shkurtimin e pranisë së NATO-s në dhjetë mijë ushtarë, ndërsa nënvizoi se tash për tash nuk ka asnjë vendim për shkurtime të tjera.

Zëri i Amerikës: Gjeneral, si do ta vlerësonit situatën aktuale të sigurisë në Kosovë në dritën e shkurtimeve aktuale të trupave tuaja?

Markus Bentler: Siç e kamë thënë në shumë raste, unë e vlerësojë situatën e sigurisë në Kosovë shumë të favorshme. Ky është një sukses bazik që është arritur gjatë këtyre dhjetë viteve. Kjo ishte arsyeja që Këshilli Veri atlantik të bëjë këtë lëvizje dhe siç e dini tashmë kemi rreth 10 mijë trupa në terren dhe ne besojmë se gjendja e sigurisë e lejon një gjë të tillë. Nuk është vetëm KFOR-i ai që ofron siguri, por janë edhe partnerët tanë, është EULEX-i, është policia e Kosovës dhe jam i bindur se bashkëpunimi ndërmjet këtyre partnerëve do të çojë në shkallën e njëjtë të sigurisë që qytetarët e Kosovës kanë gëzuar viteve të fundit. Përgjithësisht mendoj se ka pasur lëvizje pozitive dhe kjo ka mundësuar marrjen e hapave të tillë.

Zëri i Amerikës: Flisni edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe në zonat e banuara me shumicë serbe?

Markus Bentler: Natyrisht ju mund të bëni krahasime ndërmjet pjesëve të ndryshme. Ka pjesë në Kosovë për shembull kur shihni në jug, në lindje apo edhe në qendër të Kosovës ku situata është vërtetë e favorshme. Por ka edhe pjesë të tjera si në veri, ku ka kundërshti ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, ku ka ende çështje politike që presin zgjidhje. Atje shkalla e rreziqeve apo kërcënimeve është më e madhe sesa në pjesët tjera ku është relativisht qetë. Dhe qasja e forcave tona do ta pasqyrojë këtë. Mendoj se është e sigurt të them se ne si KFOR kemi zhvilluar një forcë që do të jetë në gjendje të përgjigjet në çdo sfidë dhe të përqendrohemi në zonat e ndjeshme ku ka ende rrezik për përplasje e dhunë. Ajo që po bëjmë ne është një qasje mjaft e përgjegjshme. Në veriu ka rreziqe për sigurinë, por nuk ka kërcënime nga jashtë Kosovës

Zëri i Amerikës: Gjeneral, a ka rrezik për trazira në pjesën veriore të Kosovës?

Markus Bentler: Rreziku është gjithmonë aty. Kemi parë vitin e kaluar në pjesën veriore të Mitrovicës, në Kroin e Vitakut disa përplasje dhe dhunë gjatë ndërtimeve në atë zonë, që janë menaxhuar mirë nga EULEX-i dhe policia e Kosovës. Nuk e vlerësojmë si rrezik të shkallës së gjerë, ai mund të jetë i kufizuar, por ne ende jemi mjaft të përqendruar në atë zonë dhe nuk mund ta shpërfillim rrezikun ekzistues. Do të doja të shfrytëzoja mundësinë t'u bëjë thirrje të gjithë politikanëve dhe posaçërisht popullatës që të përmbahen nga dhuna dhe të mbështeten në shërbimet tona dhe në procesin politik.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit është publikuar ajo që është quajtur strategjia për integrimin e veriut nga qeveria e Kosovës dhe zyra civile ndërkombëtare. Cili është roli juaj në zbatimin e kësaj strategjie?

Markus Bentler: Ne nuk luajmë rol në zbatimin e asaj strategjie. Ne nuk kemi qenë pjesë e hartimit të saj. Siç e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës ne jemi të paanshëm. Ne nuk mund të jemi pjesë e një strategjie të tillë. Por, roli ynë është shumë i rëndësishëm e ai është ruajtja e mjedisit të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë. Ne po ndjekim zhvillimet politike me kujdes, po vëzhgojmë çfarë po ndodhe dhe natyrisht në një mënyrë të caktuar ne mbështesim çdo përparim politik që mund të çojë në përmirësimin e kushteve të jetës për qytetarët.

Zëri i Amerikës: Gjeneral, prania juaj në Kosovë nënkupton nevojën për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë në Kosovë, pra për arsyen se ka rreziqe për Kosovën. Cilët janë në fakt rreziqet kryesore, kërcënimet kryesore për sigurinë në Kosovë?

Markus Bentler: Pikë së pari dua të them se rreziqet nuk vijnë nga jashtë. E di se shumë njerëz janë të shqetësuar për zhvillimet e mundshme në kufij, për lëvizjet e trupave serbe etj. Jam i bindur se nuk kërcënohet nga jashtë. Nga kjo pikëpamje, Kosova si entitet me praninë e KFOR-it këtu është vend i sigurt. Cilat mund të jenë kërcënimet? Nëse ka ndonjë të tillë atëherë është brenda shoqërisë së Kosovës. Kur themi se duam të punojmë dhe të jetojmë së bashku kjo nënkupton tolerancë, pranim i njëri tjetrit dhe gjetje e një mënyre për të tejkaluar plagët e së kaluarës. E vetmja gjë që mund të rrezikojë procesin është veprimi i grupeve apo individëve të vijës së fortë për të dëmtuar procesin pozitiv që po zhvillohet. Kur flasim ta zëmë për trashëgiminë kulturore e fetare, pjesa më e madhe e njerëzve në Kosovë janë të përgjegjshëm dhe i shohin ato si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë dhe historisë së tyre. Ne i nxisim të gjithë që të përmbahen nga çdo veprim i dhunshëm... Vazhdojmë të mbajmë dhjetë mijë trupa në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Gjeneral, zyrtarët e lartë të NATO-s në takimin e fundit që u mbajt në Stamboll kanë përmendur faktin se nevoja për shtimin e trupave në Afganistan nënkupton shkurtimin e trupave në Kosovë. A është kjo një prej arsyeve për shkurtimin e trupave tuaja?

Markus Bentler: Unë kurrë nuk kamë parë një lidhje të tillë. Kur i shihni me kujdes komunikatat apo deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, ai kurrë nuk e ka përmendur këtë dhe unë nuk shoh ndonjë lidhje. Natyrisht nuk do të them që nuk ka një trysni të caktuar në lidhje me buxhetin apo nevojën e grumbullimit të trupave e tjerë. Por unë besoj dhe jam i mbështetur nga eprorët e mi në zinxhirin komandues që në të bëjmë punën tonë siç e kemi bërë edhe në të kaluarën pa u varur nga angazhimet tjera në botë. Thashethemet qe dëgjoni për shkurtime të shpejta, numrat që dalin gjithandej në media nuk janë të bazuar në realitet. Ajo që mund t'u them juve sot dhe shikuesve e dëgjuesve tuaj është se ne kemi arritur këtë shkallë dhe nuk është marrë ndonjë vendim për veprime të mëtejshme, nuk ka një mandat për të shkuar më tej dhe tash për tash ne po vëzhgojmë dhe vlerësojmë se çfarë do të ndodhë. Dhe nëse do të ketë ndonjë vendim tjetër, ju, palët e përfshira dhe qytetarët e Kosovës do të jenë të informuar. Por, ai do të jetë një vendim jo i lehtë dhe i përgjegjshëm.

Zëri i Amerikës: Do të thotë ju vazhdoni të qëndroni në Kosovë me 10 mijë trupa sa janë aktualisht?

Markus Bentler: Tash për tash po.

Zëri i Amerikës: Shkurtimi i trupave tuaja do të duhej të nënkuptonte forcimin e mekanizmave të brendshëm të sigurisë në Kosovë. A janë këta mekanizma mjaft të fuqishëm për të mbushur boshllëkun që krijon shkurtimi i trupave tuaja?

Markus Bentler: Mendoj se është një pyetje shumë e mirë që çon tek çështja se sa e përgjegjshme ishte përshtatja e KFOR-it. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me partnerët tanë në EULEX me të cilët punojmë në baza ditore dhe posaçërisht me policinë e Kosovës. Ta zëmë unë morra pjesë në një patrullim të përbashkët në juglindje të Kosovës dhe duke folur me ata oficerë, duke folur me njerëzit, duke parë sa ngrohtësisht janë të pritur dhe sa krenarë që janë, unë ndjehem mirë me zhvillimin e kësaj force të rëndësishme në Kosovë. EULEX-i punon ngushtë duke i ndihmuar ata dhe unë jam shumë optimist.

Zëri i Amerikës: Gjeneral, ju e mbikëqyrni ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Si po zhvillohet ky proces?

Markus Bentler: Siç e dini, ne jemi përfshirë që nga fillimi dhe kjo është detyrë e re e KFOR-it që të ndërtojnë një forcë të re që nga fillimi. Ajo ka arritur kapacitete e saj fillestare në shtator të vitit të kaluar dhe tash po ecim drejt arritjes së kapaciteteve të plota. Mund të jenë dy apo tri vjet nuk e di. Mendoj se po ecën shumë mirë. Tashmë ka një personel të mirë dhe një numër udhëheqësish profesional, është ministria e cila po punon shumë për të ecur përpara dhe një punë e mirë e 168 ushtarëve të mi, ka fonde dhe mbështetje të mirë të komunitetit ndërkombëtarë. Mendoj se do të jetë një forcë e mirë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Ajo është forcë për operacione humanitare. Ka pasur një boshllëk në mundësitë e Kosovës. Përgjithësisht jam i kënaqur. Por do të isha shumë më i kënaqur po të shihja më shumë pakica në këtë forcë, posaçërisht serbë. Kjo do të ishte një shenjë e mirë jo vetëm për këtë forcë, por edhe për zhvillimin e një shoqërie shumetnike. Kjo mund të ishte udhërrëfyese për të ardhmen dhe për këtë arsye u bëjë thirrje të gjitha tyre që kanë dëgjuar për fushatën e rekrutimit të bashkohen sepse kjo është rrugë e mirë për të ecur përpara.

Zëri i Amerikës: Gjeneral, a është Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria e ardhshme e saj?

Markus Bentler: Kjo nuk është pyetje për mua sepse mandati që kamë marrë nga eprorët e mi është shumë i qartë, për të ngritur një forcë shumetnike të armatosur lehët që do të merret me fatkeqësi, mbështetje mjekësore, kërkim shpëtim e tjerë. Çfarë do të jetë e ardhmja, çfarë do të ndodhë, mbetet për t 'u parë dhe kjo është çështje politike. Kjo do të duhet të diskutohet në forume të posaçme. Gjithçka duhet të shqyrtohet dhe ky vendim ende nuk është marrë. Dua të them se pavarësisht çfarë janë aspiratat, ëndrrat, mandati im është i qartë. Ajo që dua të nënvizojë është se punë më e mirë për këtë forcë është të bashkëpunojnë dhe të shfrytëzojnë shërbimet tona të mira për ngritjen e tyre dhe tërë ajo që mund të marrin prej nesh është një dhuratë e madhe. T'ua lëmë trupave politikë në NATO apo kushdo qoftë që të vendosin për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG