Lidhje

Google, plane për internet me shpejtësi të lartë


Kompania gjigande amerikane e kërkimeve në internet Google, ka njoftuar planet e saj për të ofruar sherbimet e lidhjes me internetin për amerikanët me shpejtësi dhe kapacitete më të mëdha. Motori i kërkimeve në internet thotë se sistemi eksperimental do të jetë në gjendje për dërgimin e sinjaleve kibernetike 100 herë më shpejtë sesa interneti egzistues për amerikanët.

Përmes një video-blogu të postuar në faqen e internetit të kompanisë Google, James Kelly një prej manaxherve të kompaninë në fjalë, dha një përmbledhje të asaj që Google shpreson të realizojë përmes planeve të saj.

“Ne po e bejmë këtë sepse duam të eksperiemtojmë me menyra të reja për ta përmirësuar dhe bërë më të shpejtë botën e internetit për të gjithë, duke mundësuar veprime që janë të pamundura sot. Po ashtu duam të provojmë rrugë të reja për të ndertuar lidhje me fibrat optike dhe për të ndarë me botën ato që do të mësojmë.”


Zoti Kelly thotë se Google do të ofrojë sherbimet e internetit fillimisht në zonat me popullsi të vogël prej 50 mijë banorësh dhe më pas ta zgjerojë në zonat që popullohen prej gjysëm milion banorësh.

Google thotë se konsumatorët në këto zona do të jenë në gjendje të abonohen në sherbimin që ajo do të ofrojë që kap shpejtësinë prej 1 gigabit për sekondë. Në ditët e sotme disa prej lidhjeve më të shpejta të internetit për banorët amerikanë kapin shpejtësinë nga 20 deri 50 megabits për sekondë. Një gibabit ka 1000 megabit.

Kjo lëvizje e Google vjen nderkohë që kompania kërkon të rrisë me agresivitet sferën e saj të influencës në botën e internetit në fusha të ndryshme, nderkohë që ka bërë bujë me qendrimin e saj të vendosur ndaj Kinës lidhur me shqetësimet për lirinë e internetit.

Muajin që lam pas, Google nxori në treg telefonin e saj të parë me kapacitete multimediatike, duke sfiduar menyrën se si industria celulare tregton paisjet e saj. Para disa ditëve kompania shfaqi Google Buzz, një funksion që është pjesë e Gmail dhe që bashkon në një vend varietete të ndryshme të faqeve sociale në internet.

David Sohn, këshilltar me përvojë me Qendrën për Demokraci dhe Teknologji këtu në Uashington thotë se në përgjithësi, levizja e Google për shpejtësi më të medha dhe kapacitetet, patjetër që nenkupton më shumë biznes për kompaninë.

“Ata duan të kryejnë novacione në shpejtësinë e internetit sepse keshtu zgjerojnë fushën e influencës, kur flitet për internetin, dhe momentalisht ata gëzojnë një pjesë të mirë të kësaj bote virtuale.”

Zoti Sohn thotë se kjo gjë do ta vërë Google në një pozitë strategjike për të influencuar si sektroin publik ashtu edhe atë privat kur flitet për lidhjet me internetin. Komisioni Federal i Komunikacioneve po punon mbi një plan kombëtar për internetin e frekuencave të larta që pritet të publikohet së shpejti.

“Ata e dinë që Komisioni Federal i Komunikacioneve po harton një plan për lidhjet e frekuencave të larta dhe do të punojë për zbatimin e tij, dhe Google ndoshta mund të provojnë të influencojnë synimet që përcaktohen në atë plan. Pra mendoj se kjo është nxitje si për kompanitë e tjera ashtu edhe për Komisionin Federal të Komunikacioneve për të sjellë novacione.”


Prej vitesh Google ka kryer eksperimente me frekuencat e larta të transmetimeve ose internetin e shpejtësisë së lartë dhe momentalisht ofron sherbime falas të internetit të shpejtë valor ose siç njihet ndryshe Wi-Fi në qytetin Mountain View të Kalifornisë ku edhe ka zyrat qendrore.

Me njoftimet e planeve për fillimin e sherbimit të ri këtë javë, Google thotë se po mirëpret propozimet në internet nga individët dhe qytetet dhe qeveritë lokale për të marrë pjesë në eksperiment. Kompania thotë se do të njoftojë zonat e tregjeve për testimet nga fundi i vitit. //ii

XS
SM
MD
LG