Lidhje

CPJ komenton për gjendjen e gazetarëve në Shqipëri, Kosovë


Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë e pavarur jofitimprurëse që mbështet lirinë e shtypit në botë, botoi sot raportin për sulmet kundër gazetarëve gjatë vitit 2009 për vende të ndryshme.

Lidhur me Shqipërinë, organizata përmend rastin e gazetarit Mero Baze, i cili u dëbua nga zyrat e tij në një ndërtesë shtetërore me urdhër të Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që, sipas zotit Baze, gazeta kishte një kontratë 20-vjeçare.

Raporti shton se gazetari Baze u rrah gjithashtu nga disa persona në një klub të Tiranës. Në një deklaratë për Komitetin për Mbrojtjen e gazetarëve, zoti Baze ka akuzuar biznesmenin Rezart Taçi për sulmin ndaj tij, ndërkohë që zoti Taçi i ka mohuar akuzat në një deklaratë për të njëjtën organizatë.

Për Kosovën, raporti vë në dukje kërcënimet me vdekje të bëra ndaj gazetares Jeta Xharra, shefe e BIRN-it në Kosovë, dhe mesazheve për dhunë ndaj ekipit të saj të punës në programin Jeta në Kosovë në RTK.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve i shkroi një letër proteste kryeministrit Hashim Thaçi duke i bërë thirrje qeverisë të hetonte kërcënimet dhe të mbronte gazetarët e BIRN-it në Kosovë.

XS
SM
MD
LG