Lidhje

Kosova shënon dy vjetorin e pavarësisë


Kosova po shënon sot dy-vjetorin e pavarësisë së saj, të cilën e kanë njohur deri tash 65 vende të botës. Në kremtimet e sotme, udhëheqësit e saj politikë thanë se Kosova e pavarur është shndërruar në faktor të paqes e qëndrueshmërisë në rajon.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu mbajti një fjalim ku u kërkoi anëtarëve të parlamentit që të bëjnë të gjitha përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Zoti Sejdiu tha në një seancë të posaçme të parlamentit sot se Kosova e ka provuar para botës se pavarësia e saj ka sjellë paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Ai tha gjithashtu se Serbia që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është i vetmi problem i politikës së jashtme për qeverinë e tij.

Presidenti Sejdiu e akuzoi Beogradin për qëndrim agresiv ndaj Kosovës, përmes mbështetjes së strukturave paralele në veriun me shumicë serbe.

Zoti Sejdiu u kërkoi gjithashtu qytetarëve të Kosovës që t’i dyfishojnë përpjekjet për të arritur nivelin e zhvillimit të vendeve të tjera.

Udhëheqësit e tjerë të Kosovës thanë se vendi ka arritur mjaft përparime duke numëruar këtu anëtarësimin e saj në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtarë. Ata thanë se viti i dytë i shtetit më tëri në botë ishte edhe periudhe sfidash të mëdha, përfshirë përballjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila në pranverën e këtij viti duhet të jap një opinion lidhur me pavarësinë e Kosovës.

Ndonëse integrimet evropiane janë shpallur si përparësi e institucioneve të Kosovës, mosnjohja e saj nga pesë vende të Bashkimit Evropian e ka vështirësuar këtë proces sikundër edhe atë të liberalizimit të vizave.

Në vitin e dytë të pavarësisë, Kosova mbajti zgjedhjet e para lokale të organizuara nga institucionet vendase, por stërzgjatja e tyre në disa komuna bëri që ato të mos marrin vlerësimet më të mira.

Rimëkëmbja e ngadalshme ekonomike bëri që vendi të përballet me pakënaqësi sociale në prag të përvjetorit të dytë të pavarësisë së tij.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thonë se gjatë dy viteve të para të pavarësisë së vendit janë arritur rezultate thelbësore, por opozita thotë se procesi i ndërtimit të shtetit ka ngecur.

Udhëheqësit e saj thonë se mangësitë më të mëdha janë shfaqur në procesin e integrimit të Veriut të banuar me shumicë serbe. Ndërsa zyrtarë serbë thonë se do të vazhdojnë luftën kundër pavarësisë së Kosovës dhe nuk do të lejojnë zbatimin e planeve të Prishtinës për veriun e Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare të sigurisë shfaqin pikëpamje më pozitive për zhvillimet në vend.

XS
SM
MD
LG