Lidhje

Vdekja e sportistit gjeorgjian hedh dritë mbi rreziqet e garave me luge


Vdekja e sportistit gjeorgjian Nodar Kumaritashvili, konkurent në garat e luzhit në sezonin Olimpik të Vankuverit, na ka bërë më të vetëdijshëm ndaj rreziqeve që shoqërohen me këtë sport. Incidente të tilla janë të rralla gjatë Lojërave Olimpike, megjithatë nënvizojnë rëndësinë e masave të sigurisë për të gjithë konkurentët. Vdekja e Kumaritashvilit mendohet se do të lerë gjurmë në të gjitha aktivitetet olimpike në pistat e akullta:

Amerikanin Tony Benshoof e ekzalton shpejtësia.

Ai ndjen adrenalinën që e mbërthen, sapo fillon garën e lugesë në pistën e akullt duke rrëshqitur me shpejtësi mbi 160 kilometra në orë.

“Me këto shpjetësi të larta, ka shumë rëndësi pozicioni i trupit, por kur kalon disa nga kthesat forta, me inercinë që ke marrë, nuk është kollaj.”

Kthesa e fundit në Qendrën e Rrëshqitjes Whistler, ku zhvillohen garat e luzhit në këto Lojëra Olimpike, i kushtoi jetën 21-vjeçarit Nodar Kumaritashvili. Ai pësoi një përplasje vdekjeprurëse me një shtyllë metalike, pasi doli nga pista gjatë stërvitjes.

Vdekja ndodhi pak orë para hapjes së Lojërave.

Sot në Gjeorgji të afërmit e Kumaritashvilit pritën trupin e sportistit Kumaritashvili në qytetin e tij Bakuriani. 21-vjeçari do të varroset të shtunën, ndërkohë që familjarët dhe trajneri i tij fajësojnë për vdekjen e tij problemet në projektimin e pistës.

Vetë babai i tij tregon se Nodar i kishte thënë pak para aksidentit, se i trembej pistës së re, por nuk kishte ndër mend të tërhiqej nga konkurimi.

Garat e lugesë janë sporti më i shpejtë rrëshqitës në konkurimet olimpike. Për herë të parë garat u përfshinë në Olimpike në Lojërat e Austrisë në vitin 1964, kur ndodhi edhe vdekja e parë e një sportisti gjatë stërvitjes për gara.

Kumaritashvili ishte viktima e dytë dhe është e papranueshme thotë Presidenti gjeorgjian Mikhail Sakashvili.

“Asgjë gabim në sport nuk duhet të përfundojë me vdekje.”

Presidenti Saakashvili reagoi në përgjigje të komenteve se vdekja ishte rezultat i gabimit të sportistit.

Por ai pohoi se Kumaritashvili mund të mos ketë pasur aq eksperiencë sa sportistët e tjerë.
Sporti i lugesë, siç mësova, kërkon shumë përvojë dhe përvoja fitohet pas disa vitesh.”

Në një intervistë para fillimit të lojërave, amerikani Benshoof shpjegoi se si përgatitet sportisti për gara:

“Duhet shumë kohë për të fituar përvojë. Pjesa më e madhe e veteranëve të këtij sporti janë në të 30-at, pasi duhen shumë vjet për t’u bërë konkurent i rangut botëror.”

Pista Whistler u rihap për gara vetëm 1 ditë pas vdekjes së sportistit gjeorgjian. Megjithatë, u bënë disa ndryshime për të lehtësuar shqetësimet e konkurentëve.

Megjithatë masat nuk i eliminuan shqetësimet:

“Ne punojmë shumë me federatat ndërkombëtare dhe kur është fjala tek projektimi dhe ndërtimi i një piste apo ambjenti sportiv, siguria është përparësia numër një.”

Zëdhënësja e Komitetit Organizator të Lojërave 2010 Renee Smith Valade thotë se pista ishte çertifikuar si nga Federata Ndërkombëtare e Lugesë dhe nga Federata Ndërkombëtare e Slitës para Lojërave Olimpike.

Në fund të procesit, pasi ndërtohet pista bëhet procesi i miratimit zyrtar nga dy federatat, të cilat japin pëlqimin për përdorimin e pistës për gara dhe stërvitje. Pra ekziston një proces rigoroz që nga faza e projektimit e deri tek vënia në provë e një ambjenti sportiv.

Megjithëse është tepër vonë për ndryshime në Vankuver, organizatorët e Lojërave të 2014 në Sochi të Rusisë po e shfrytëzojnë vdekjen e Kumaritashvilit si mësim si në procesin e projektimit, ashtu edhe të ndërtimit të pistave. (ze)

XS
SM
MD
LG