Lidhje

Qendra diellore e Karolinës së Veriut për energjinë e gjelbër

  • Isabela Çoçoli

Teknologjia diellore fotovoltike ka përparuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit dhe tani energjia diellore është bërë një investim me shumë vlerë në Karolinën e Veriut këtu në Shtetet e Bashkuara. Ky shtet juglindor është i vetmi në gjithë vendin që ka caktuar norma të detyrueshme për energjinë e ripërtëritshme dhe pikërisht 12.5% energjisë kërkohet të sigurohet nga burimet e gjelbra deri në vitin 2021.

Ky objekt është bërë një nga qendrat kryesore të energjisë së ripërtëritshme në Shtetet e Bashkuara, prandaj çdo ditë Qendra Diellore e Universitetit Shtetëror të Karolinës së Veriut vizitohet nga ata që synojnë të kthejnë sistemin nga ai konvencioanl në energji diellore.

Drejtori i qendrës, Steve Kalland, u jep shpjegime vizitorëve për burimet alternative të energjisë së ripërtëritshme në këtë shtet që parashikon me ligj që deri në vitin 2021, 12.5 përqind e energjisë të sigurohet nga burime të gjelbra.

"Për disa vite me radhë, ne kemi patur kredi taksash këtu në Karolinën e Veriut për të mbështetur teknologjitë e energjisë së ripërtëritshme, si dhe disa programe të tjera inkurajuese. Kompanitë e njohura amerikane dhe kompanitë e krijuara rishtaz kanë qënë të interesuara për investimin dhe zhvillimin në Karolinën e Veriut. Qendra diellore u ngrit në vitin 1981 këtu në Fakultetin e Inxhinierisë. Ne filluam me përftimin e energjisë nga ngrohja e ujit dhe një farë energjie pasive diellore, por me kalimin e kohës aktiviteti ynë u zgjerua dhe në 10 vjetët e fundit kemi punuar për energjinë e erës, energjinë e biomasës dhe biokarburantet".

Për të plotësuar kërkesat e shtetit për energji, kompania e energjisë elektrike në Raleigh ka në plan t'u ofrojë klientëve 20 mijë dollarë për të instaluar panele diellore në çatitë e shtëpive, gjë që ul koston e konvertimet në energji të gjelbër me 75%, kur ky stimul kombinohet me stimuj të tjerë shtetërorë dhe federalë. Një shtëpi tipike përfton nga panelet diellore në çati nga 2.5 në 5 kilovat energji.

"Kështu ne kemi një sërë stimujsh këtu në Karolinën e Veriut për t'i bërë teknologjitë e reja të përshtatshme, kur krahasohen me burimet tradicionale. Këto nisma dhe stimuj krijojnë mundësi për funksionimin e këtyre projekteve".

Ky objekt ofron informacion dhe kualifikim për banorët e Karolinës së Veriut dhe të tjerë. Ai edukon publikun, shkëmben rezultatet e kërkimeve dhe ekspertizën teknologjike, ndihmon në marrjen e vendimeve të industrisë energjetike dhe ndikon në formulimin e politikave qeveritare.

Idea është që të stabilizohet kostoja e energjisë për konsumatorët, të stimulohet ekonomia lokale, të ulet varësia në importin e karburantit dhe të zbuten efektet negative që kanë për mjedisin karburantet fosile.

XS
SM
MD
LG