Lidhje

Ukrainë: Një gjykatë pezullon rezultatet e zgjedhjeve presidenciale


Një gjykatë në Ukrainë ka pezulluar përkohësisht rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të këtij muaji teksa rishikon një ankesë të dërguar nga kandidatja Julia Timoshenko që humbi.

Ky hap i ndërmarrë sot nga Gjykata e Lartë Administrative e Ukrainës ka lënë mënjanë rezultatet e votimit, të cilat shpallin fitues udhëheqësin e opozitës Viktor Janukoviç me 3.5 për qind epërsi ndaj kryeministres aktuale Timoshenko.

Zonja Timoshenko, aktualisht kryeministre e Ukrainës, e apeloi rezultatin dje, duke pretenduar se votimet e 7 shkurtit kishin parregullsi. Ajo ka refuzuar të pranojë humbjen.

Kryeministrja Timoshenko pretendon se parregullsitë në votime i kushtuan asaj rreth 1 milion vota në balotazh. Rezultatet përfundimtare tregojnë se ajo ka humbur me afërsisht 888 mijë vota diferencë.

Gjykata e lartë pritet që të japë vendimin për ankesën ligjore të ngritur nga Timoshenko përpara 25 shkurtit, ditë që parlamenti ka caktuar për ceremoninë e betimit të zotit Yanukoviç. (ze)

XS
SM
MD
LG