Lidhje

Ngjallja e ekstremizmit të djathtë në Hungari


Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe zyrtarët qeveritarë nga shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë paralajmëruar se forcimi i partive ekstremiste të djathta po kërcenon stabilitetin në disa vende ish komuniste. Kjo çështje u diskutua në një takim nderkombëtar në Budapest të premten në prag të disa zgjedhjeve të rëndësishme në Evropën Lindore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Stefan Bos njofton nga Budapesti.

Zyrtarë për të drejtat e njeriut dhe ekspertë nga Evropa Qendrore dhe Lindore thanë se një valë e re sulmesh ndaj popullsisë cigane apo rome si dhe asaj hebraike apo pakicave të tjera nga ana e partive të reja ekstremiste po kërcënon demokracitë e brishta në disa vende të Evropës Lindore.

Ata thanë se fuqia në rritje e politikës së ekstremit të djathtë dhe diskriminimi i aktiviteteve që synojnë pakicat kombëtare në rajon janë bërë alarmuese.

Disa romë, duke përfshirë edhe fëmijë, janë vrarë vitin e kaluar në Hungari në incidente dhune ku janë përdorur edhe armët e zjarrit, shishet me benzinë dhe granatat e dorës. Incidente ka patur edhe në vende të tjera të rajonit kundër hebrenjve dhe popullsisë rome.

Takimi bëhet ndërkohë që anketat e opinionit publik në rajon tregojnë se lëvizja e djathtë radikale Jobbik, Lëvizja për një Hungari më të Mirë, duket se do të bëhet një forcë kryesore politike në zgjedhjet parlamentare të vendit në muajin prill.

Gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar kjo forcë fitoi tre nga 22 vendet që i përkasin Hungarisë në Parlamentin Evropian.

Jobbik bën fushatë kundër atyre që i quan krime të ciganëve dhe sipas zyrtarëve hungarezë, udhëheqësit e saj kanë lidhje me retorikat antisemite. Ata shihen gjithashtu si njerëz me prirje të theksuara euro-skeptike.

Që nga viti 2007, anëtarët e krahut paraushtarak të partisë, Garda Hungareze ose Magyar Garda, kanë zhvilluar marshime në disa fshatra dhe vendbanime të popullsisë rome të veshur me uniforma që ngjasojnë me ato të kohës naziste.

Suksesi i lëvizjes Jobbik është i lidhur me krizat e vazhdueshme ekonomike të Hungarisë dhe me zhgenjimin e madh ndaj qeverisë së mbështetur nga socialistët.

Sociologu Andras Toth i Institutit të Shkencave Politike pranë Akademisë Hungareze të Shkencave, tha për Zërin e Amerikës se Jobbik mund të ndryshojë tablonë politike në Hungari dhe suksesi i saj mund të ndikojë edhe në vendet përreth.

“Jam tejet i shqetësuar sepse Jobbik do të fitojë së paku 10 përqind të votave në zgjedhjet e ardhëshme. Mund të bëhet partia e dytë më e madhe në parlament ose e treta. Nëse vazhdon kriza ekonomike, papunësia do të shtohet dhe Jobbik mund të marrë 20 apo 30 përqind në zgjedhjet e vitit 2014. Ky është një shqetësim real jo vetëm për Hungarinë por për të gjithë projektin evropian.”

Ka shqetësime se suksesi i lëvizjes Jobbik do të shtojë mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë në Republikën Çeke dhe në Sllovaki, ku do të zhvillohen zgjedhje nga fundi i vitit.

Peter Hunick, këshilltar i ish presidentit çek Vaclav Havel, është i përfshirë me partinë e re Most-Hid apo Ura, që punon përtej linjave etnike për të luftuar ekstremizmin në Sllovaki dhe rajon.

“Rreth 60-65 përqind e anëtarëve janë nga pakica etnike hungarezë dhe rreth 35-40 përqind janë sllovakë etnikë. Kjo përbërje i dërgon një mesazh të rëndësishëm botës dhe vendeve fqinje të Sllovakisë. Alternativa tjetër është konflikti i përgjakshëm. Kush ka nevojë për një konflikt të tillë? A nuk mjaftoi konflikti në Jugosllavi?.”

Fuqizimi i të djathtës ekstreme po ashtu është problematik në Serbi, e cila po përballet me probleme ekonomike si rezultat i luftrave ballkanike në vitet 90.

Aktivistja e të drejtave civile Sonja Biserko, e cila kryeson Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, shpreh shqetësime rreth zhvillimeve të reja.

Jemi bërë një shtet etnik gjë që pasqyrohet në pozitat e pakicave, qofshin etnike, fetare, seksuale apo politike. Prandaj kjo çështje është kaq e rëndësishme dhe duhet trajtuar në të gjitha shoqëritë, sepse pakicat gjithnjë vuajnë.”

Takimi i Budapestit ishte pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të zgjidhur problemin e ekstremizmit kudo në rajon. //iç//

XS
SM
MD
LG