Lidhje

Dizenjo dhe koncept unik për medaljet e Olimpikeve 2010


Në secilën nga Lojërat Olimpike, vendi organizator projekton dhe prodhon medaljen zyrtare të Lojërave për ta bërë unike. Për Lojërat e XXI në Vankuver, dizenjoja e medaljeve përfshin simbole që nderojnë edhe popullatën indigjene të Kanadasë.

Medaljet peshojnë deri në 576 gramë secila dhe janë më të rëndat në historinë e Olimpikeve. Në tregun e sotëm, ato kanë vlerë rreth 1 mijë e 700 dollarë secila. Por për atletët që i fitojnë dhe për vendet që ata përfaqësojnë, medaljet janë një simbol i paçmueshëm suksesi.

“Medaljet përfaqësojnë arritjen që duhet të shënojë sportisti që të fitojë.”

Kristin Akino është drejtoreshë për komunikimit në Qendrën Mbretërore Kanadeze për Medaljet, e cila derdhi 615 medalje për Lojërat e 2010 në Vankuver. Ajo thotë se secila nga medaljet është një fragment i një dizenjoje më të madhe ku përfshihet krijimtaria e popullatës indigjene kanadeze.

“Janë medaljet më unike që janë dhënë ndonjëherë në Lojërat Olimpike.”

Secila nga medaljet është unike. Zonja Aquino thotë se nuk është vetëm dizenjoja artistike në sipërfaqe, por edhe vetitë fizike të medaljes që e bëjnë unike.

“Për herë të parë këtë radhë medaljet nuk janë të sheshta. Po t’i prekësh ndjen ngritje e ulje që përfaqësojnë relievin kanadez.”

Për ata që ndodhen në Vankuver, një zbavitje shumë me interes përveç garave, është të prekin me duar një medalje të vërtetë olimpike. Mijëra vetë presin në radhë për orë të tëra në qendër të Vankuverit për këtë mundësi.

Teresa Tarn është mësuese nga Shtetet e Bashkuara me punë në Vankuver. Ethet e Lojërave që kanë mbërthyer qytetin ditët e fundit e bënë të rrinte në radhë para Ekspozitës së Monedhave e Medaljeve Kanadeze:

“Sportistët presin për vite me radhë për të marrë në dorë një medalje. Mua më duhet të pres vetëm pak orë.”

“Përse të mos pres në radhë? Unë kam ardhur për të përjetuar atmosferën olimpike dhe dua të prek me dorë medaljen.”

Ndërkohë që kanadezja Lorraine Finigan pret në radhë, ajo do të përjetojë një moment unik në Lojërat Olimpike, siç shpjegon Kristine Aquino e Agjencisë së Monedhave dhe Medaljeve:

“Me sa kuptoj unë, në Vankuver, për herë të parë në historinë e Olimpikeve, publikut i jepet mundësia që gjatë Lojërave të shohë, të prekë dhe të bëjë fotografi me medaljet.”

Kur mbaron radha, dhe pasi veshin një dorezë të bardhë për të mbrojtur sipërfaqen delikate të medaljes, ata mijëra vizitorë që kanë pritur para Ekspozitës së Monedhave dhe Medaljeve kaanë shansin për të prekur atë që ëndërron çdo sportist në konkurim, mundësinë për të mbajtur në duar, qoftë edhe për një moment, simbolin më të lartë të arritjes sportive. //ad//

XS
SM
MD
LG