Lidhje

SHBA: Myslimanët të indinjuar për praktikat e FBI-së ndaj tyre


Korporata Rand njofton se nga rreth 30 komplote terroriste të zbuluara në Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit, dhjetë dolën në dritë gjatë vitit 2009. Por shumë myslimanë thonë se autoritetet e rendit po bëjnë më shumë presion se ç’duhet në përpjekjet e tyre për të zbuluar terroristët e mundshëm mes komuniteteve myslimane në Shtetet e Bashkuara.


Kurpesë amerikanë myslimanë u zhdukën nëntorin e kaluar, prindërit e tyre u takuan me kryepleq myslimanë dhe pastaj shkuan tek FBI-ja.

“Mund të kishte qenë edhe më keq, nëse familjet, xhamia dhe komuniteti mysliman nuk do të ishin përgjigjur në mënyrë të ligjshme dhe të përgjegjshme”.

Djemtë u arrestuan më vonë në Pakistan nën dyshimin se planifikonin sulme terroriste. Edhe në rastin e nigerianit Umar Faruk Abdulmutallab, i cili synonte të hidhte në erë aeroplanin për në Detroit ditën e Krishtlindjeve, babai i tij njoftoi qysh më parë autoritetet për t’u treguar mbi ekstremizmin e të birit.

Pjesëtarët e komunitetit mysliman në Nju Jork thonë se duan t’i ndihmojnë forcat e rendit të kapin terroristët që mund të ekzistojnë mes tyre. Por disa thonë se FBI-ja po bën shumë presion duke infiltruar nëpër xhamitë e tyre dhe duke i kërcënuar nëse nuk bashkëpunojnë.

“Nëse do të shihja dikë duke kryer një sulm, do të përpiqesha ta ndaloja në çdo mënyrë edhe nëse do të humbja jetën”,thotë Sheik Tarek Saleh, klerik në Bruklin, i cili shton se ndihma e tij për policinë ka një kufi.

Fares al-Basir është presidenti i xhamisë së Sheik Tarekut. Ai thotë se FBI-ja i dërgoi një informator për të mbledhur të dhëna mbi Sheikun dhe kjo iu duk frikësuese.

“Ai më tha se, meqë jam president i xhamisë, nëse kam ndikim tek ai, ta bind të punojë për FBI-në, por kjo nuk është puna ime”.

Një zëdhënës i FBI-së nuk komentoi për çështjen e Sheikut por tha se FBI-ja ka vendosur marrëdhënie të forta me shumë komunitete myslimane. Megjithatë, ankesat për taktikat e ashpra nga ana e zyrtarëve të rendit vijnë nga shumë myslimanë.

“Ne nuk jemi këtu për të krijuar probleme. Ne kemi zgjedhur të jetojmë këtu sepse kemi mundësi më të mira”.

Por ekspertët e terrorizmit e quajnë të justifikuar përdorimin e informatorëve.

“Kjo nuk ndodh vetëm me komunitetin mysliman. Informatorët janë burim i madh të dhënash për forcat e rendit. Ata operojnë nën idenë se komuniteti që po infiltrojnë nuk është treguar bashkëpunues”.

Steven Emerson drejton Projektin Hetues për Terrorizmin, një grup jofitimprurës që përgjonte udhëheqësit myslimanë amerikanë edhe para sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se udhëheqësit myslimanë po i frikësojnë vetë besimtarët e tyre në lidhje me FBI-në.

Megjithatë, si udhëheqësit myslimanë ashtu edhe zyrtarët e rendit mendojnë se besimi reciprok ka rëndësi të jashtëzakonshme në mënyrë që marrëdhëniet mes tyre të jenë frytdhënëse. //iç//

XS
SM
MD
LG