Lidhje

Pas takimit të presidentit Obama me Dalai Lamën


Zyrtarët në Pekin thirrën ambasadorin amerikan në Kinë për të protestuar ndaj takimit të presidentit Obama dje me udhëheqësin shpirtëror në mërgim të Tibetit, Dalai Lama.

Ministria e jashtme kineze tha se zëvendësministri Cui Tiankai thirri ambasadorin Jon Huntsman për të dokumentuar atë që ministria e quajti një përfaqësim solemn rreth takimit të presidentit Obama.

Presidenti amerikan Barak Obama u takua dje në Shtëpinë e Bardhë me Dalai Lamën, udhëheqësin shpirtëror në mërgim të Tibetit, megjithë protestat diplomatike nga Kina. Takimi u zhvillua mes tensioneve në rritje mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Ai ka qënë në Shtëpinë e Bardhë edhe më parë, por ky ishte takimi i parë i Dalai Lamës me presidentin Barak Obama. Gjendja e tij shpirtërore dukej e mirë dhe mund të thuash e gjallëruar.

"Që në fëmijëri, gjithmonë e kam admiruar Amerikën, jo për fuqinë ekonomike apo ushtarake por kryesisht si kampione të lirisë demokratike dhe vlerave njerëzore".

Dalai Lama tha se takimi i tij me presidentin Obama përfshiu diskutime rreth nevojës që gratë të marrin më shumë role drejtuese, respektin për besimet fetare në mbarë botën dhe të drejtat e njeriut në Tibel dhe në mbarë globin.

"Nxitja e vlerave njerëzore për të sjellë një botë të paqshme, familje të paqshme dhe individë të paqshëm".

Shumë tibetianë e kishin pritur vizitën e Dalai Lamës në Shtëpinë e Bardhë.

Dhonduk Dighmz priti me të bijën e tij në motin e ftohtë për të parë Dalai Lamën.

"Kam lindur në Indi dhe asnjëherë nuk e kam parë vendin tim".

Tibeti është vendi im. Dua ta shoh para se të vdes.

Digmz thotë se Kina nuk e lejon atë të kthehet në Tibet. Ai dhe shumë tibetianë shpresojnë që Dalai Lama do të bindë Shtetet e Bashkuara të këmbëngulin për më shumë liri për Tibetin.

"Ne nuk kërkojmë që Tibeti të jetë i pavarur. Ne kërkojmë një shtet me dy sisteme si Hong Kongu apo Macao. Në fund të fundit ajo që kërkojmë janë të drejtat njerëzore".

Kina e konsideron Dalai Lamën separatist që kërkon pavarësinë e Tibetit.

Gjatë viteve të fundit, autoritetet kineze kanë shtypur protestat në Tibet. Dhe kjo ka nxitur dënimin ndërkombëtar kundër Kinës.

Eksperti Richard Bush në Insitutin Brookings e shikon takimin në Shtëpinë e Bardhë si një mesazh simbolik që zoti Obama po i dërgon Kinës.

"Kjo riafirmon vendosmërinë e tij për të përmirësuar të drejtat e njeriut në Kinë. Ajo është pjesë e axhendës së çdo presidenti. Për mënyra sesi vepron është e vështirë kështu që kjo vizitë është një mënyrë e përshtatshme për të siguruar këtë riafirmim".

Presidenti Obama vendosi të mos takohej me Dalai Lamën kur ai vizitoi Uashingtonin tetorin e kaluar, para takimit të nivelit të lartë të zotit Obama me presidentin kinez Hu Jintao. Kur Shtëpia e Bardhë planifikoi takimin me Dalai Lamën këtë vit, qeveria kineze dhe shumë nga qytetarët e saj protestuan.

Problemi i Tibetit është një nga çështjet themelore të Kinës dhe Obama nuk duhet të fusë hundët në marrëdhëniet e brendshme të Kinës. Është keqorientuese pasi Dalai Lama është një separatist. Pra për zotin Obama ky nuk është një veprim i mirë dhe mendoj se do të ketë ndikim në marrëdhëniet dypalëshe.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë vjen në një kohë kur ka tensione të tjera në marrëdhëniet SHBA-Kinë – veçanërisht kundërshtimi i Kinës për shitjen prej 6 presje 4 miliardë dollarë të armëve Taivanit. Dhe kjo ndodh ndërsa presidenti Obama është përpjekur të bindë Kinën të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit bërthamor me Korenë e Veriut dhe Iranin.

"Tensionet do të jenë të përkohshme. Të dyja palët kanë teknika për të menaxhuar situatën. Ajo do të kthehet në një farë status kuoje".

Por për tibetianët në mbarë botën, çdo takim me një president amerikan u jep atyre shpresën se Amerika do të mbrojë kauzën e tyre. Dhe Digmz vazhdon të ëndërrojë ditën kur vajza e tij të mund të vizitojë një Tibet shumë më të lirë. //rd//

XS
SM
MD
LG