Lidhje

Tojota përpiqet të rregullojë imazhin pas problemeve


Ligjvënësit amerikanë po hetojnë njoftimet për probleme të timonit tek makinat Tojota Korolla tip sedan të kompanisë japoneze të prodhimit të makinave. Ndërsa vetëm para pak ditësh Tojota njoftoi problemet me modelin Takoma që tregtohet në Shtetet e Bashkuara. Këto janë njoftimet e fundit të një serie problemesh që kanë dëmtuar imazhin e kompanisë, dhe kanë shkaktuar shqetësime mes shumë njerëzve në Japoni. Korrespondenti Akiko Fujita njofton nga Tokio.

Tojota është një ikonë për Japoninë. Suksesi i saj global është burim i krenarisë kombëtare. Kështu që kur kompania njoftoi planet për të ndaluar tregtinë e miliona makinave të saj në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar si rezultat i një difekti në pedalin e gazit, japonezët u shqetësuan. Por kur kompania njoftoi për probleme të mëtejshme me automjetet edhe në Japoni, publiku reagoi me mosbesim.

Ky burrë në distriktin e biznesit në Tokiothotë se stili i Tojotës është konsideruar standardi i artë në Japoni deri tani. Tani njerëzit do të vënë në dyshim se çfarë ishte kjo kompani në të vërtetë.

Kompania Tojota u themelua në fillim të viteve 30-të por suksesi i vertetë erdhi pas Luftës së Dytë Botërore, kur ajo krijoi të ashtëquajturin Sistem Prodhues të Tojotës. Sistemi përqendrohej në përmirësime të vazhdueshme. Kërkonte elasticitet në linjat e montimit, dhe kërkonte që problemet të ndreqeshin sapo të zbuloheshin në mënyrë që të mos përsëriteshin.

Cilësia dhe siguria u bënë arsyet për shitjen e Tojotës. Por me frena difektoze, probleme me pedalin e gazit dhe difekte të tjera që kërkojnë riparime nga Tojota të automjeteve në mbarë botën, reputacioni po bie me shpejtësi.

Xhef Kingston është profesor i historisë moderne japoneze në Universitetin Temple në Tokio. Ai thotë se kompania e ka humbur stilin e saj. "Mendoj se ata u vetkënaqën nga suksesi. Sistemi i tyre i menaxhimit është i vjetëruar. Edhe vendimet po marrin më shumë kohë."

Zoti Kingston thotë se kompania priti shumë gjatë për t'u përgjigjur për problemet e njoftuara. Presidentit të Tojotës, Akio Toyoda iu deshën disa javë që të fliste publikisht rreth tyre. Kur mbajti një konferencë shtypi, ai kërkoi falje. Ai gjithashtu u zotua të dyfishojë agazhimin e kompanisë ndaj cilësisë. Profesori Kingston thotë se ndjesa e tij nuk ishte e mjaftueshme. "Tojota nuk arriti të plotësonte standardet nderkombëtare, po ashtu nuk mundi të plotësonte ato që prisnin japonezët."

Problemet e Tojotës vijnë ndërkohë që janë shtuar ankesat, aksidentet, problemet financiare dhe riparimet për disa kompani të njohura japoneze. Shtimi i ankesave është pjesërisht rezultat i një ligji të ri që u kërkon kompanive japoneze që të njoftojnë aksidentet serioze që kanë lidhje me produket e tyre.

Njoftimet shtetërore po ashtu thonë se numri i makinave brenda vendit që kërkojnë riparime është dyfishuar ndërmjet viteve 2004-2008, krahasuar me pesë vite më parë. Nderkohë kompania Honda ka njoftuar nevojën për riparime të 400 mijë makinave në mbarë botën, si rezultat i difekteve në jastekët e ajrit.

Profesori i financave Jukido Noguçi në Universitetin Waseda thotë se problemet janë shenjë arrogance, pas vitesh suksesi global. Por ai thotë se nuk është e drejtë të krahasosh problemet e tyre me ato të kompanive të tjera japoneze. "Ky është një problem tejet special dhe nuk mund të nxjerrësh përfundime nga kjo lidhur me kompanitë e tjera së bashku."

Tojota po mundohet të vërë në vend imazhin e saj me një fushatë të gjerë për marrëdhëniet me publikun. Kompania po publikon reklama nëpër gazeta dhe televizione në Shtetet e Bashkuara, duke u zotuar t'i japë përparësi cilësisë dhe klientëve.

Por profesori Kingston thotë se Tojota duhet të bëjë më shumë se kaq. Ai thotë se kompania duhet të bëhet më transparente dhe e përgjegjëshme dhe të tërheqë përsëri klientët. "Shikoni 5 kompanitë e Koresë së Veriut se si po sulen dhe si po sfidojnë tregun. Japonia duhet ta rimarrë veten."

Me shtimin e konkurrencës nga Koreja e Jugut, thotë zoti Kingston, Tojota dhe kompanitë e tjera japoneze duhet të ndryshojnë shpejt. //rd//


XS
SM
MD
LG