Lidhje

Republika çeke dokumenton historitë e arratisjeve


Historitë e njerëzve që u përpoqën të arratisen për në Perëndim nga Çekosllovakia mes viteve 1948 dhe 1989 janë objekt i një projekti të ri në Republikën Çeke. Instituti çek për Studimin e Regjimeve Totalitare po bashkëpunon me arkivën e Forcës së Sigurisë të hapur kohët e fundit për të treguar historitë e qindra njerëzve që u vranë, u plagosën ose u kapën në kufijtë me Gjermaninë dhe Austrinë.

<!-- IMAGE -->

Çekosllovakia komuniste i mbylli kufijtë në vitin 1948 duke ndaluar udhëtimin e lirë të qytetarëve të saj.

Instituti thotë se ekzistojnë 288 raste të dokumentuara të njerëzve që janë vrarë kur u përpoqën të arratisen.Qindra të tjerë arritën ta kalonin kufirin.

Projekti përqendrohet në histori të vërteta arratisjesh nga njerëz të ndryshëm, - çekë, gjermanolindorë, polakë, hungarezë dhe ukrainas – për të dalë në Perëndim nga kufiri çek.

"Çdo gjë tregohet nga këndvështrimi i viktimave të cilat kriminalizohen në dokumentet zyrtare të rojeve të kufirit ose të policisë," thotë nëndrejtori i Institutit, Miroslav Lehky.

"Ata cilësohen si elementë antishoqërorë, kriminelë etj. Ne duam të tregojmë se ata ishin njerëz normalë, trima dhe të arsimuar dhe kjo ishte rruga e tyre drejt lirisë," thotë zoti Lehky.

Një ndër rastet e dokumentuar në arkivë është ai i një grupi ukrainasish që u përpoqën të arratisen nëpër një pyll në vitin 1950.

"Dy vetë nga grupi prej 13 vetash hoqën dorë dhe dolën nga pylli,” tregon historiani sllovak Lubomir Morbacher.

"Vasil Aranoz u vra ndërsa Olga Smigovska dhe vajza e saj dy vjeçe u kapën nga policia. Anëtarët e tjerë të grupit mundën të largohen," shton ai.

Dosjet që flasin për këtë incident tregojnë se sulmi i ushtarëve ndaj tyre ishte vërtet i egër. Tekste të detajuara si dhe fotografitë e ruajtura nga ajo kohë tregojnë se sa e egër ishte dhuna e ushtruar.

"Egërsia e rojeve duket qartë nga dokumentet ku komandanti i tyre më pas shkroi se gabimi i vetëm që ata bënë ishte se nuk përdorën granatat kundër grupit që po përpiqej të arratisej," thotë Morbacher.

Sot, Vaclav Krbecek është 73 vjeç, mësues në pension. Në vitin 1953 kur ishte 16 vjeç, ai u përpoq të arratisej për në Gjermani duke ecur më këmbë përmes kufirit që ruhej mirë.

"Arrita të kaloj nëpër fushën e minuar e deri te telat me gjemba, gjithsej tre gardhe telash, dhe dy kulla vrojtimi me tela telefonike,"shpjegon ai.

"Për fat të keq po ecja mbrapsht, nuk i pashë mirë telat në errësirë. Në këtë kohë dëgjoj të shtënat, në fillim sinjale të kuqe dhe jeshile. Edhe sot e kujtoj me frikë atë moment. U ktheva për të shpëtuar dhe aty mora plumbin e parë në shpatull. Plumbi i dytë më hyri poshtë qafës, vetëm tre centimetra mbi zemër. U ktheva prapë dhe nisa të lëviz drejt tyre. Ata më panë që isha gjallë dhe shtinë me breshëri, gjithsej 48 të shtëna. E gjithë kjo gjendet e dokumentuar në arkivë.”

Megjithëse mjekët arritën t’i shpëtonin jetën, artratisja e tij nuk pati sukses.

Deri tani janë përgatitur 13 histori për këtë projekt dhe instituti po punon edhe për raste të tjera. Ai do t’i nxjerrë historitë në një ekspozitë dhe pastaj do t’i çojë ato nëpër shkolla të ndryshme të vendit. //mm//

XS
SM
MD
LG