Lidhje

Shqipëri, grupet menaxhuese të Eurobondit


Në Shqipëri ministria e financave njoftoi sot se ka mbyllur përzgjedhjen e grupeve të huaja financiare të cilat do të menaxhojnë Eurobondin e parë të lëshuar nga qeveria shqiptare.

Për të udhëhequr transaksionin e emetimit të Eurobondit u paraqitën 15 banka të mëdha, dhe në përfundim të vlerësimit, zëvendësministri Nazir Haldedaj tha sot se janë përzgjedhur dy institucione të mëdha financiare, amerikanja JP Morgan dhe ajo gjermane Deutche Bank. Në rolin e mbështetësit do të jetë edhe banka Raiffeisen.

Qeveria shqiptare synon që eurobondi i emetuar prej saj të kap vlerën e 350 milionëve, por nëse kushtet që do të mund të ofrohen do të jenë të favorshme kjo vlerë edhe mund të rritet. Pjesa dërrmuese e kësaj vlere do të shkojë për të shlyer kredinë prej 200 milion eurosh të marrë vjet me interesa mjaft të larta, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për financimin e nevojave të buxhetit.

Gjatë dy muajve të ardhshëm së bashku me bankat e mandatuara do të ketë një prezantim në qendrat kryesore financiare për tërheqjen e investitorëve të mundshëm, ndërkohë që pjesa kryesore mbetet negocimi i interesave, veçanërisht në një moment si ky kur borxhi public i vendit është në kuota të larta. (ze)

XS
SM
MD
LG