Lidhje

Gjenerali Petreas: Ofensiva në Afganistan është vetëm fillimi


Gjenerali Petraeus thotë se beteja në Marjah është vetëm fillimi.

“Ky është vetëm operacioni i fillimit i një fushate që do të zgjasë nga 12 deri 18 muaj nderkohë që gjeneral McChrystal dhe ushtria e tij e kanë krehur rajonin.”

I ftuar në programin Meet the Press të kanalit televiziv NBC, zoti Petraeus tha se armiku ishte i vështirë. Ai nuk parashikoi se sa do të zgjaste operacioni në Marjah, një bazë tradicionale kjo për talebanët. Ai tha se luftimet ishin të ashpra.

“Kur jemi në mësymje dhe shkatërrojmë vendstrehimet e talebanëve dhe elementeve të tjera ekstremiste, ata do të kundërërgjigjen. Kjo po shihet në Marjah dhe në disa zona të tjera.”

Gjenerali foli nga Tampa e shtetit të Floridës ku ai kryeson Komandën Qendrore Amerikane e cila është përgjegjëse për operacionet në Afganistan dhe Irak. Ai përmendi vështirësitë me të cilat u përballën në Irak kur ish presidenti Xhorxh Bush dergoi trupa shtesë. Gjeneralit amerikan ju shtrua përsëri pyetja nëse vendi duhet të përgatitet për humbje të mëdha në betejë.

<!-- IMAGE -->

“Do të jetë e vështirë, ishte e vështirë në Irak. E kam përsëritur disa herë se këto lloj përpjekjesh janë të vështira dhe janë të vështira gjithnjë. Nuk përdor fjalët optimizëm apo pesimizëm por jam realist. Realiteti është i vështirë, por ne jemi atje për një arsye tejet të rendësishme dhe nuk mund ta harrojmë këtë.”

Strategjia e administratës së presidentit Obama për Afganistanin mori një votëbesim të dielën nga gjenerali në pension Colin Powell, i cili shërbeu si sekretar shteti gjatë mandatit të parë të presidentit Bush.

Ai tha se ishte një plan i mirë dhe terësor. Por në të njëjtën kohë ai pranoi shqetësimet nëse qeveria afgane do të jenë të gjendje të mbajë gjendjen nën kontroll pasi trupat e NATO-s të përzënë talebanët.

“Shpresoj që të rritet kapaciteti i tyre. Ushtria afganase është përmirësuar por ende jo deri tek standartet amerikane. Po ashtu edhe policia ka shumë për të bërë, ata ende nuk gëzojnë besimin e popullit.”

Ish gjenerali Powell u intervistua në programin Face the Nation të kanalit televiziv CBS. //kh//

XS
SM
MD
LG