Në Serbi, policia bëri kërkime në shtëpinë e ish-gjeneralit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç, ndaj të cilit është ngritur aktpadi për gjenocid në Bosnje-Hercegovinë në fillim të viteve 90.
Një njësi speciale e policisë filloi kërkimet sot në mëngjes në periferi të Beogradit, pasi bllokoi zonën përreth.
Prokurori serb për krimet e luftës dha urdhër për kërkimet pas presioneve të vazhdueshme për kapjen e të dyshuarve që kërkohen nga Gjykata e Hagës.
Sipas njoftimeve të mediave lokale, hetuesit gjetën në shtëpi para me vlerë rreth 100 mijë dollarë.
Mediat po ashtu citojnë fqinjët të kenë thënë se djali i Ratko Mlladiçit, Darko, ishte në shtëpi gjatë kërkimeve.
Autoritetet serbe kanë zhvilluar vazhdimisht kërkime në shtëpitë e personave të akuzuar për krime lufte dhe të të afërmve të tyre gjatë viteve të fundit, në përpjekje për shkatërrimin e rrjetit që i mbështet ata. //ii