Lidhje

Klinton, thirrje për bashkëpunim më të ngushtë NATO-Rusi


<!-- IMAGE -->

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes Rusisë dhe NATO-s, Aleancës ndëratlantike të cilën Moska e shikon me dyshim si relike të luftës së ftohtë dhe dhe si një kërcënim të mundshëm për sigurinë e saj. Zonja Klinton i bëri komentet dje në Uashington.

Gjatë një fjalimi që mbajti në hapje të një seminari për rishikimin e misionit të NATO-s në shekullin e 21, zonja Klinton hodhi poshtë prerazi thirrjet e Rusisë për një traktat të ri sigurie që Uashingtoni beson se do të çonte në një zbehje të ndikimit të NATO-s në Europë dhe përtej saj.

“Më lejoni ta them pa asnjë mëdyshje se ndonëse Rusia përballet me sfida për sigurinë e saj, NATO-ja nuk është mes këtyre sfidave. Ne duam një marrëdhënënie bashkëpunimi NATO-Rusi, e cila të prodhojë rezultate konkrete dhe t’i afrojë më shumë NATO-n dhe Rusinë.”

Mes shqetësimeve kryesore të Rusisë është synimi i NATO-s për t’u ofruar anëtarësim ish republikave sovjetike të Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Moskën e shqetësojnë edhe planet amerikane për të instaluar pajisje për mbrojtjen nga raketat në Rumani dhe ndoshta edhe në vende të tjera europianolindore.

Zonja Klinton bëri thirrje për një hapje më të madhe mes NATO-s dhe Rusisë.

Marrëdhëniet mes të dyve ngrinë në muajt pas konfliktit të armatosur të Rusisë me Gjeorgjinë në vitin 2008.

“Do të ishte në interes të sigurisë në Europë nëse NATO-ja dhe Rusia do të jenë më të hapura rreth armatimeve tona, objekteve tona ushtarake dhe manovrave tona ushtarake. NATO-ja dhe Rusia duhet të kenë një shkëmbim të rregullt informacioni mbi politikën, doktrinën dhe manovrat ushtarake që planifikojnë,” tha zonja Klinton.

Një grup ekspertësh nën drejtimin e ish Sekretares së Shtetit Medlin Ollbrajt po punojnë për të modernizuar konceptin strategjik të NATO-s, i cili për herë të fundit u diskutua në vitin 1999, para se Aleanca të fillonte operacione ushtarake përtej kufijve të saj, sidomos në Afganistan.

Koncepti i ri pritet të miratohet zyrtarisht në një samit që Aleanca do të mbajë në Lisbonë të Portugalisë këtë nëntor.

Vendet e NATO-s u përçanë mjaft lidhur me luftën në Irak në vitin 2003, kur Franca, Gjermania dhe Belgjika e kundërshtuan luftën dhe bllokuan pjesmarrjen në të. //ii

XS
SM
MD
LG