Lidhje

Pres. Obama përpiqet të bashkëpunojë me republikanët


Presidenti Barak Obama ka ftuar republikanët e Kongresit për një takim këtë të enjte që të diskutojnë reformën e kujdesit shëndetsor, përpjekja e tij më e fundit kjo për të nxitur bashkëpunimin ndërpartiak në Uashington. Por 2010-ta është vit zgjedhjesh për në Kongres dhe të dyja partitë politike duket se janë më të përqëndruara në përpjekjet për të fituar zgjedhjet e nëntorit për në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve në vend që të punojnë së bashku.

Polarizimi dhe beteja politike në Shtetet e Bashkuara është intensifikuar gjatë vitit të fundit.

Gjendja është përkeqësuar në atë pikë sa që disa ligjvënës kanë vendosur të mos vënë kandidaturë për zgjedhjet e nëntorit.

Mes tyre është senatori demokrat, Evan Baj nga Indiana.

“Dua shumë të punoj për popullin e Indianës. Dua të ndihmoj qytetarët tanë të arrijnë maksimumin në jetën e tyre, por nuk e dua Kongresin. Edhe në një kohë sfidash të mëdha kombëtare si tani, shqetësimet dhe problemet e popullit amerikan nuk po zgjidhen”.

Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se një numër i madh amerikanësh janë ose të pakënaqur ose të revoltuar nga gjendja politike në Uashington.

Kjo çështje u ngrit gjatë pjesëmarrjes së Presidentit Obama në një konferencë të republikanëve, që u mbajt në Baltimorë.

“Amerikanët nuk na dërguan në Uashington për të luftuar njeri tjetrin në format më të ashpra. Elektorati na zgjodhi që të punojnë së bashku dhe të zgjidhim problemet me të cilat përballet çdo ditë populli amerikan”.

Republikanët fajësojnë demokratët për ngecjen politike në Uashington, duke thënë se udhëheqësit demokratë në Kongres injorojnë vazhdimisht propozimet e tyre.

“Zoti President, shumë herë administrata juaj ka bërë deklarata se republikanët nuk parashtrojnë as ide e as zgjidhje”, tha anëtari republikan i Kongresit, Tom Prajs.

Historiani Matt Dallek i Qendrës së Politikave Ndërpartiake, thotë se nuk mungojnë arsyet e mosfunksionimit të procesit politik.

“Qoftë kur është fjala tek mbulimi i pandërprerë i zhvillimeve në media, apo ndryshimi i kufijve të zonave elektorale apo për ndikimet financiare në politikë, këtu kemi të bëjmë me një problem që ka vazhduar të trashet për dekada me radhë”.

Nuk ka qënë gjithnjë kështu, thotë ish anëtari i Kongresit Bob Edgar.

“Sistemi ka marrë përmasa tepër partiake. Kur unë shërbeja në Kongres, asnjë ligj nuk miratohej pa bashkëpunimin si të demokratëve ashtu edhe të republikanëve”.

Zoti Edgar është president i grupit “Kauza e Përbashkët” me seli këtu në Uashington, grup ky që përpiqet t’i kërkojë llogari qeverisë që të punojë në interes të publikut.

Zoti Edgar thotë se ligjvënësit e partive të ndryshme tregojnë shumë pak interes drejt bashkëpunimit, krejt ndryshe nga përvoja e tij në vitet 70-të dhe 80-të.

“Mendoj se është mirë të kujtojmë që në të kaluarën politikat partiake përfundonin në ditën e zgjedhjeve dhe më pas politikanët i viheshin punës për t’i shërbyer interesave të popullit”.

Anketat e opinionit tregojnë se publiku po përjeton të njëjtin diziluzion me Uashingtonit që shprehu edhe senatori Baj. Megjithatë, Bob Edgar u bën thirrje amerikanëve që të jenë optimistë.

“Falenderoj senatorin Evan Baj për gadishmërinë që të flasë hapur. E falenderoj që vendosi të largohet nga arena politike dhe të lërë dikë tjetër të hyjë në Kongres. Por në të njëjtën kohë do të bëja thirrje që të mos kthehemi në cinikë dhe të mendojmë se sistemi nuk mund të përmirësohet”.

Por kjo mund të jetë e vështirë këtë vit, pas fitores së republikanëve muajin e kaluar në shtetin Masaçusets për në Senat dhe ndërsa Partia Republikane pritet të fitojë gara të tjera për në Kongresin amerikan në zgjedhjet e nëntorit. (ze)

XS
SM
MD
LG