Lidhje

Tre të burgosur nga Guantanamo transferohen në Shqipëri


Në Shqipëri ministria e Brendshme njoftoi sot transferimin e tre personave të tjerë nga burgu i Guantanamos.

Bëhet fjalë për një shtetas tunizian Saleh bin Hadi Asasi, një egjiptian, Sharif Fati Ali al Mishad dhe një tjetër nga Libia, Abdul Rauf Omar Mohammed Abu al Qusin.

Sipas ministrisë së Brendshme, transferimi i tyre është bërë në bazë të marrëveshjes individuale mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj shqiptare dhe është rezultat i angazhimit të qeverisë së Shqipërisë për të mbështetur nismën e administratës se presidentit Barak Obama për mbylljen e burgut të Guantanamos dhe transferimin e të paraburgosurve në vende mike dhe të sigurta.

Njoftimin për këtë transferim e bëri edhe qeveria amerikane me anë të një deklarate të Departamentit të Drejtësisë. Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara janë mirënjohëse që qeveria shqiptare u tregua e gatshme për të mbështetur përpjekjet amerikane për mbylljen e burgut në Gjirin e Guantanamos.

Të transferuarit e parë nga Guantanamo, 5 shtetas me origjinë ujgure erdhën në Shqipëri në vitin 2006. Strehimi i tyre nga qeveria shqiptare krijoi atëherë probleme me Kinën e cila i konsideronte ata pjesë të organizatave terroriste që kërkojnë pavarësinë e territoreve të cilësuara si Turkestani Lindor.

Sipas ministrisë së Brendshme, në Shqipëri janë transferuar 11 të dënuar nga burgu i Guantanamos, ndërkohë që nuk ka patur njoftim më parë për kohën se kur kanë ardhur tre të tjerët pas ujgurëve.

XS
SM
MD
LG