Lidhje

Obama, përpjekje të reja për të shpëtuar reformat shëndetësore


Presidenti amerikan dhe rivalët e tij të partisë republikane argumentuan dje pikëpamjet e tyre rreth reformimit të kujdesit shëndetësor në një takim të nivelit të lartë që u transmetua drejtëpërdrejtë në televizion për miliona amerikanë.

Reforma e kujdesit shëndetësor është një çështje që shkakton emocione për shumë amerikanë...

"Jam në favor të miratimit të këtij projektligji pasi në se nuk veprojmë do të na duhet ta nisim diskutimin edhe njëherë nga fillimi".

Por nisja nga fillimi është ajo që kërkonin këta protestues jashtë vendit ku u mbaj takimi i nivelit të lartë për kujdesin shëndetësor.

"Është më shumë një shfaqje sesa një përpjekje e vërtetë. Në këtë takim duam të sigurohemi që dërgojmë mesazhin – të kthehemi në fillim dhe të hartojmë një plan të drejtë".

Këto pikëpamje kundërshtuese ishin të pranishme gjithashtu në takim ku zoti Obama u përpoq të gjente pika të përbashkëta mes demokratëve dhe republikanëve të opozitës.

"Dua të sigurohem që ky diskutim është vërtet i tillë dhe jo thjesht shkëmbim opinionesh. Shpresoj që ky nuk është një teatër politik ku të luajmë para kamerave, duke kritikuar njëri-tjetrin por ku përpiqemi të zgjidhim problemet".

Presidenti Obama u kërkoi ligjvënësve të fillonin diskutimin duke u përqëndruar në çështjet e projektligjit të tanishëm të kujdesit shëndetësor ku mund të gjenin pika të përbashkëta – si ndalimi i kompanive të sigurimeve për mbulimet e pacientët me sëmundje paraekzistuese dhe reformimin e praktikave të gatuara mjekësore.

Por duke folur në emër të republikanëve, senatori Lamar Alexander kërkoi një përqasje më drastike.

"Kjo nuk është makinë që mund të riparohet. Punën duhet ta fillojmë nga fillimi".

Zoti Alexandër i kërkoi demokratëve të mos e çonin projektligjin në kongres pa mbështetjen e republikanëve. Ai tha se legjislacioni i demokratëve për kujdesin shëndetësor është shumë i gjerë dhe i kushtueshëm.

"Vendi ynë është shumë i madh, shumë i komplikuar, shumë i decentralizuar për Uashingtonin, për pak nga ne këtu të marrin e të shkruajmë disa regulla që ndikojnë menjëherë 17 përqind të ekonomisë".

Republikanët propozojnë marrjen e masave më të vogla për të reformuar sistemi e kujdesit shëndetësor. Idetë e tyre përfshijnë lejimin e amerikanëve për të gjetur siguracion shëndetësor jashtë shteteve të tyre dhe zgjerimin e llogarive të kursimit të kujdesit shëndetësor.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuese, Nancy Pelosi tha se është shumë vonë për të formuluar një projektligj të ri.

"Shpresoj se mbledhja rreth kësaj tryeze, na bën të kuptojmë emergjencën që ka populli amerikan për këtë çështje, sesi ajo ndikon jo vetëm shëndetin e tyre por sigurinë e tyre ekonomike".

Takimi ndodhi pas disa muajsh debatesh të nxehta në Kongres mbi reformën e kujdesit shëndetësor. Disa analistë thonë se ky mund të jetë ndoshta shansi i fundit i presidentit Obama për ta rigjallëruar projektligjin. Edhe vetë ai pranoi se mosmarrëveshjet mes të dy palëve mund të jenë shumë të mëdha për të arritur kompromis.

"Të paktën do ta qartësojmë edhe më shumë për popullin amerikan se përse është debati".

Një anketë e USA Today Gallup thotë se 75 përqind e amerikanëve mendojnë se ky takim nuk do të arrijë ndonjë marrëveshje.

//rd//
XS
SM
MD
LG