Lidhje

Viktor Janukoviç bën betimin si President i Ukrainës


Udhëheqësi i opozitës ukrainase, Viktor Janukoviç bëri sot betimin si presidenti i katërt i Ukrainës. Zoti Janukoviç e bëri betimin me dorën mbi një bibël të shekullit të 16, që është njëkohësisht teksti më i vjetër i shtypur në gjuhën ukrainase. Më pas ai tha para figurave politike vendase e të huaja në ceremoninë e zhvilluar në parlament, se e merr presidencën në rrethana shumë të komplikuara. Ai nënvizoi borxhin kolosal të vendit, korrupsionin dhe mungesën e një buxheti kombëtar. Mungesa e rivales së tij, Julia Timoshenko në ceremoni, ishte një sinjal i qartë i fërkimeve politike në vend.

Verkovna Rada, siç njihet parlamenti ukrainas, ka përjetuar trazira dhe makinacione të shumta politike. Por sot ndërtesa ishte skena e ceremonisë së përurimit të presidentit të ri Viktor Janukoviç. Zoti Janukoviç mori postin e presidentit pas një fitoreje të ngushtë në balotazh me kandidaten në zgjedhjet presidenciale Julia Timoshenko.

Zonja Timoshenko, e cila po përpiqet të mbajë postin e kryeministres, ngriti akuza për manipulim votash. Por në analizën e vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta.

Viktor Janukoviç vjen në post me një mandat të lëkundur, si rezultat i fitores së ngushtë dhe në një kohë sfidash madhore. Ekonomia është tronditur rëndë nga kriza globale, dhe klima politike në vend është tejet e polarizuar. Janukoviç gëzon mbështetje të gjerë në pjesën lindore ku ka një popullatë të konsiderueshme të përkatësisë etnike ruse, por humbi në të gjitha zonat elektorale në perëndim përballë Timoshenkos.

Presidentit të ri do t’i duhet të gjejë rrugën e së ardhmes së vendit. Gjatë viteve të fundit të Presidencës Jushçenko, shumë ukrainas treguan rezistencë në rritje ndaj idesë së antarësimit në Nato, dhe afrimit me Bashkimin Evropian, ndërkohë që vendi vuante nën peshën e krizës ekonomike. Presidenti i ri Janukoviç nuk ka treguar ndonjë herë zell të veçantë për ta integruar Ukrainën në strukturat perëndimore. Nga ana tjetër, lidhjet e tij të afërta me Rusinë gjatë viteve mund të bëhen për të një barrë e rëndë politike.

Për momentin, Viktor Janukoviç do të duhet të zgjidhë problemin e qeverisjes. Negociatat që vazhduan për javë të tëra pas dyersh të mbyllura nuk rezultuan në ndonjë koalicion qeveritar që e anashkalon Timoshenkon, ndërkohë që kryeministrja aktuale nuk duket se ka në plan të largohet lehtë nga posti që mban. //ad//

XS
SM
MD
LG