Lidhje

Filmi "Armiqtë e Popullit" paraqet krimet e Kmerëve të Kuq në Kamboxhia

  • Raesy Poch

Regjimi i Kmerëve të Kuq që udhëhoqi Kamboxhian nga fundi i viteve 70, la pas të paktën 1 milion e gjysëm të vdekur. Tani, ky kapitull i errët i historisë së Kamboxhias, është përmbledhur në një dokumentar të ri, përmes dëshmive të një prej zyrtarëve më të lartë të regjimit. Dokumentari i titulluar “ Armiqtë e popullit”, u vlerësua edhe me çmimin special të jurisë nga festivali i Filmit Sundance që u mbajt në Park City në Utah.

<!-- IMAGE -->

Nuon Chea është personazhi kryesor i filmit “Armiku i popullit”, por ai nuk mund të quhet kurrë heroi i filmit.I njohur si “Vëllai numër 2”, ai ishte dora e djathtë e Pol Potit, udhëheqësit të Kmerëve të Kuq. Në dokumentar, ai flet për rolin e tij në mizoritë e kryera nga regjimi.

Gazetari investigues kamboxhian Then Sambath i kushtoi 10 vjet të jetës së tij këtij dokumentari. Ai thotë se takohej me Nuon Chean gjatë fundjavëve, 5 vjet përpara se ai të pranonte të fliste:

“ Një ditë ai më tha të vërtetën. Ai tha se më kishte vëzhguar për vite dhe kishte kuptuar se unë isha i ndershëm dhe nuk mbaja asnjë anë. Kështu që ksihte vendosur të më tregonte, të gjitha vendimet që kishte marrë me Pol Potin”.

Rob Lemnkin dhe Thet Sambath janë producentët e filmit. Lemkin thotë se shikuesit do të vendosin nëse Nuon Chea thotë të vërtetën.

“Pavarësisht në se e beson atë ose jo, është e rëndësishme që ai të lejohet të japë versionin e tij të historisë, kështu që brezat e ardhshëm mund të krijojnë vetë mendimin e tyre për ngjarjet”. - thotë ai

<!-- IMAGE -->

Thet Sambath gjithashtu gjeti njerëz që kishin kryer ekzekutimet. Ai kaloi vite të tëra për t’i takuar dhe folur me ta para se t’i bindëte për të folur. Sambath pati një arsye personale që harxhoi kaq shumë kohë për këtë histori. Prindërit, vëllezërit e mortat e tij vdiqën në duart e Pol Potit dhe pasuesve të tij. Një film i realizuar në mesin e viteve 1980, “Fushat e vrasjes” , tregon për tmerrin që kishte përjetuar populli kamboxhaian. Ai thotë:

“Ishin pikërisht këto vuajtje që më bënë të gjej të vërtetën pas këtyre vrasjeve gjatë regjimit të Kmerëve të Kuq. Tani që e di se çka ndodhur, ndjehem i çliruar”.

John Cooper është drejtori festivalit të përvitshëm të filmit Sundance. Ai thotë se “ Armiqtë e popullit”, është një film, koha e të cilit për t’u shfaqur më në fund ka ardhur:

“ Ky film është njëkohësisht tronditës dhe befasues. Nuk mund të jepej deri më sot, sepse ishte shumë shpejt dhe askush nuk do të dëshironte ta shihte. Është për t’u admiruar, që çdo fundjavë gazetari shkonte e i xhironte këta njerëz deri sa më në fund ata filluan të flisnin. Është një histori e pabesueshme që ndryshon jetë njerëzish”.

Aktori Robert Redford, themeluesi i festivalit të Filmit Sundance u tha gazetarëve se realizuesit e filmit “Armiqtë e Popullit”, kanë krijuar diçka vërtet të veçantë.

<!-- IMAGE -->

“ Ajo çka unë pëlqej tek ky film, është fakti që një gazetar ka depërtuar në thellësi të fushave të vdekjes. Kemi dëgjuar për to në filmim me të njëjtin titull. Por zbulimi i të pathënave, është ajo që më ka interesuar gjithmonë”. - thotë zoti Redford

Sam Ratha është një kamboxhiano amerikan që jeton në Salt Lake City në Utah. Ai është ndër kamboxhainët e parë që sheh filmin dhe ndjehet mirë që dëgjon Nuon Chean të flasë:

“ Ai tha të vërtetën dhe kështu brezat e rinj do të dinë se ç’ka ndodhur në të shkuarën. Ata që kanë kryer këto krime duhet ta dinë se një ditë do të ndjejnë brerjen e ndërgjegjes. Kur je në pushtet mund të bësh ç’të duash, por nuk duhet harruar se kur bie nga pushteti përfundon si Nuon Chea”

Nuon Chea u arrestua në vitin 2007, nën akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij në regjimin e Kmerëve të Kuq. Aktualisht ai është në pritje të gjykimit të tij në Kamboxhia. //mm//

XS
SM
MD
LG