Lidhje

SHBA: Muzeume për historinë e afrikano-amerikanëve


Shkurti është muaji i historisë së afrikano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Ekziston një interesim në rritje mes të gjitha racave për të mësuar më shumë rreth historisë së afrikano-amerikanëve dhe komunitetet në mbarë Amerikën po hapin muzeume të kësaj historisë për të shërbyer si qendra nderimi për të kaluarën.

Me rastin e 50 vjetorit të një momenti të rëndësishëm në historinë afrikano-amerikane, u hapën dyert e një muzeumi në vendin e një proteste të famshme të të drejtave civile në vitin 1960. Ky muzeum nderon luftën për barazi racore në Shtetet e Bashkuara dhe është mes muzeumeve më të rinj në rritje për historinë e zezakëve, që janë hapur gjatë 20 vjetëve të fundit.

“Është një mundësi që të krijojmë një moment historik në një vend tjetër veçse librave. Ky muzeum ngjall historinë”.

Amelia Parker administron muzeumin ndërkombëtar të të drejtave civile me një fond prej 23 milion dollarësh në Greensboro. Ajo parashikon rreth 200 mijë vizitorë çdo vit, duke sjellë miliona dollarë për ekonominë lokale.

“Ndërsa turizmi kulturor zgjerohet si një prej elementëve më të gjallë të industrisë së turizmit, është e qartë se ajo krijon mundësinë që njerëz nga e gjithë bota të vijnë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara”.

Më shumë se 2 milion e gjysëm njerëz kanë vizituar muzeumin kombëtar të të drejtave civile në Memfis të shtetit Tenesi që prej hapjes së tij në vitin 1991. Ai ndodhet në Hotelin Lorein, vendi ku u vra Dr. Martin Luther Kingu. Delon Xhonson dhe Vincent harris erdhën këtu nga Teksasi për të mësuar më shumë për historinë e afrikano-amerikanëve.

“Ky muze më bën të mësoj më shumë për vetë historinë dhe për vete të di më shumë gjëra. Sa më shumë që të di aq më shumë mund t’u mësoj fëmijëve të mi e shpresoj që edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë brez pas brezi në mënyrë që historia të mos humbasë”.

Bevërli Robertson është presidente e muzeut kombëtar të të drejtave civile në Memfis.

“Kjo është një sipërmarrje e re që duam ta konsolidojmë. Diçka që të mund ta kuptojmë. Muzeume të tilla mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë historinë tonë të së kaluarës si dhe të sotmen”.

Loni Banç është drejtor i muzeut të ri Smithsonian të historisë së afrikano-amerikanëve në Uashington, që do të përfundojë në vitin 2015. Ai thotë se hapja e muzeumeve nëpër komunitete të ndryshme bëjnë të mundur që publiku të mësojë rreth historisë kombëtare nisur nga perspektiva lokale.

“Më pëlqen shumë nocioni se gjithnjë e më shumë komunitete duan të mësojnë rreth historisë veçanërisht historisë së afrikano-amerikanëve. Mendoj se sa më shumë muzeume, dhe sa më shumë që të flitet rreth historisë, aq më mirë ne kuptojmë se cilët jemi si amerikanë dhe si janë të mundura ndryshimet”.

Njerëzit që administrojnë këto muzeume të historisë së zezakëve thonë se nuk po konkurojnë për turistë, por po punojnë në partneritet për t’u siguruar që vizitorët e tyre kalojnë nëpër një përvojë më të plotë e më të pasur. (ze)

XS
SM
MD
LG