Lidhje

Vankuver: Flaka olimpike, një pikë tërheqëse për vizitorët

  • Park Bruër

Vankuver: Flaka olimpike, një pikë tërheqëse për vizitorët

Vankuver: Flaka olimpike, një pikë tërheqëse për vizitorët

Zyrtarët e Lojërave Olimpike Dimërore i kanë bërë disa ndryshime sheshit ku është vendosur flaka olimpike në qendër të Vankuverit. Ndryshimet pasuan reagimet e forta të publikut, që kërkonte heqjen e një gardhi që kishte bllokuar këtë pikë me shumë interes për vizitorët:

Flaka olimpike qëndron e ndezur deri në përfundim të Lojërave Olimpike. Dhe në çdo qytet organizator ka qenë një pikë tërheqëse për turistë që kanë apo jo interes për sportin.

Në Vankuver, struktura gjigande prej çeliku dhe xhami ku digjet flaka olimpike është vendosur pranë Qendrës Ndërkombëtare të Transmetimeve.

Për arsye sigurie dhe për ta mbrojtur strukturën nga vandalët, organizatorët kishin vendosur një gardh rrethues rreth 50 metra larg. Por gardhi nuk i lejonte vizitorët të afroheshin për të bërë fotografi dhe ankesat dhanë rezultat.

Një pjesë e madhe e gardhit është vendosur më pranë pishtarit dhe është hapur një segment prej 20 centimetrash në nivelin e syve, në mënyrë që vizitorët të bëjnë fotografi e xhirime. Dhe interesimi ka qenë shumë i madh.

Vizitori Bob MacGregror i tha Zërit të Amerikës se ndryshimi ishte shumë i nevojshëm:

“Njerëzit vijnë këtu dhe kënaqen me pamjen, me pishtarin. Është një kujtim i bukur të marrësh me vete, kur të kthehesh dhe çdokush dëshiron të gjejë këndin sa më të përshtatshëm. Mendoj se vepruan si duhet me hapjen e kësaj pjese të gardhit.”

Është piketuar edhe një vend tjetër nga ku mund të shohësh flakën olimpike. Vizitorët mund të hipin në tarracën e një ndërtese 1 katëshe përballë Qendrës së Transmetimeve.

Radha për të hipur në tarracë shtrihet deri në gjirin e qytetit. Brajën Verç thotë se si ai edhe e shoqja nuk ishin penduar që pritën në radhë:

“Nga pika ku dolëm, e shihnim mirë flakën olimpike. Pamja nga tarraca ishte shumë e mirë. Ke mundësi të bësh edhe fotografi.”

Në ditën e parë kur u hap tarraca, vizitorët ndenjën në radhë të gjata. Nanci Kon, e cila banon në Halifax të Kanadasë lindore, thotë se priti 45 minuta:

“Ia vlen të presësh. Do të kisha preferuar të afrohesha më shumë. Nuk më pëlqen që e kanë rrethuar strukturën me gardh. Por do t’i përshtatesh mundësisë që ke.”

Organizatorët shpresojnë se me mundësitë e krijuara, vizitorët do të kthehen në qytetet e tyre me kujtime të mira nga flaka olimpike. (ze)

XS
SM
MD
LG