Lidhje

45 të vdekur nga një stuhi e fuqishme në Evropën Perëndimore


Një stuhi me shi dhe errëra të fuqishme goditi sot Evropën Perëndimore, duke lënë të paktën 45 të vdekur dhe mbi një milion njerëz të tjerë pa energji elektrike.

Stuhia e ardhur nga Atlantiku dhe e quajtur "Xynthia" goditi bregdetin perëndimor të Portugalisë, Spanjës dhe Francës me dallgë 8 metra të larta dhe errëra prej 160 kilometra në orë.

Franca, ku pati 40 të vdekur, u godit më rëndë nga stuhia, duke shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve, ndërkohë që meteorologët parashikojnë ortekë në zonat malore. Në Paris, Air France anulloi 100 fluturime në aeroportin Charles de Gaulle, ku sipas agjencisë franceze të lajmeve, pjesë të çatisë së terminalit filluan të lëviznin nga errërat e fuqishme.

Pjesa më e madhe e Britanisë jugore, tashmë e ngopur nga rreshjet e mëparshme, vazhdon të jetë në situatë emergjente nga përmbytjet, ndërsa stuhia e shpejtë përfshiu pjesën veriore e lindore të vendit, duke iu afruar Belgjikës dhe Detit Baltik. (ze)

XS
SM
MD
LG