Lidhje

Vazhdon në Hagë gjyqi i Radovan Karaxhiçit


Vazhdon në Hagë gjyqi i Radovan Karaxhiçit

Vazhdon në Hagë gjyqi i Radovan Karaxhiçit

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç u tha gjykatësve në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi se kauza e Serbisë në luftën e Bosnjes në periudhën 1992-95 ishte “e drejtë dhe e shenjtë”. Karaxhiçi po vetëmbrohet dhe në seancën e sotme bëri deklaratën e hapjes, ndërsa gjyqi rifilloi sot në Hagë. Ndaj Karaxhiçit janë ngritur 11 akuza, të cilat ai nuk i pranon.

Me anë të një deklarate të palës mbrojtëse, Karaxhiçi mohoi akuzat për dëbimin e popullatës joserbe nga shtëpitë e tyre, duke thënë se objektivi i serbëve ishte mbrojtja e jetës dhe pasurisë së tyre.

Kauza e tyre “është e drejtë dhe e shenjtë,” tha Karaxhiçi duke u mbështetur te ato pak shënime që kishte përpara.

“Nuk dua të vetëmbrohem duke thënë se nuk isha i rëndësishëm apo nuk mbajta një post të rëndësishëm kur i shërbeja popullit tim dhe as nuk do t’ia kaloj dikujt tjetër fajin. Unë do të mbroj vendin dhe popullin tim si dhe kauzën e tyre,” tha Karaxhiçi.

64 vjeçari Karaxhiç përballet me dy akuza për gjenocid dhe 9 akuza të tjera për vrasje, shfarosje, persekutim, deportim të detyruar si dhe për mbajtjen peng të 200 punonjësve të OKB-së. Nëse gjehet fajtor, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Prokurorët thonë se Karaxhiçi orkestroi një fushatë për shkatërrimin e komunitetit musliman e atë kroat në Bosnjen lindore për të krijuar një shtet të pastër serb.

“Prokurorët më akuzojnë për planifikimin dhe nxitjen e largimit të muslimanëve dhe kroatëve nga territoret e Bosnje-Hercegovinës prë të cilat serbët kanë pretendime. Serbët kërkonin territoret e tyre, kjo do të dalë këtu dhe nuk është krim. Prokuroria e paraqet këtë si krim. Këtë pretendim të prokurorisë do ta dëgjojmë këtu dhe kjo tregon se sa falso është i gjithë ky gjyq, i bazuar krejtësisht në shpifje,” tha Karaxhiçi.

Gjatë fushatës Sarajeva u mbajt e rrethuar për 44 muaj, ndërkohë që u torturuan e u vranë qindra të burgosur në kampet çnjerëzore të burgimit. Ajo fushatë arriti kulmin me masakrimin e rreth 8 mijë meshkujve muslimanë gjatë një jave të tmerrshme në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, masakra më e rëndrë në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Karaxhiçi është figura më e rëndësishme që del në gjyq që prej ish presidentit jugosllav Slobodan Milosevic, i cili vdiq nga një goditje në zemër më 2006 para se të përfundonte gjyqi i tij.

Ai tha se para konfliktit pranoi disa herë propozimet e paqes të paraqitura në një konferencë ndërkombëtare. Ai akuzoi udhëheqësin e Bosnjes, Alija Izetbegovic për kundërshtimin ose shkeljen e këtyre propozimeve.

Aktpadia kundër Karaxhiçit u ngrit fillimisht në vitin 1995. Ai i shpëtoi NATO-s për më shumë se një dekadë dhe u kap në korrik të vitit 2008 në Beograd.

Karaxhiçi nuk pranon avokatë mbrojtës dhe po vetëmbrohet në gjyq megjithëse i mungon ekspertiza ligjore. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili e krijoi Gjykatën e Hagës në vitin 1993, ka dhënë urdhër që të mos hapen çështje të tjera.

Gjykata ka ngritur padi kundër 161 zyrtarëve politikë e ushtarakë, nga të cilat 40 raste ende vazhdojnë.

Dy ish zyrtarët ë lartë vazhdojnë t’i shpëtojnë drejtësisë dhe mund të nxirren në gjyq në Hagë: ish komandanti i lartë Ratko Mlladiç, dhe udhëheqësi serbo-kroat Goran Haxhiç. (ze)

XS
SM
MD
LG