Lidhje

SHBA: Shqipëria - vend tranzit për trafikantët e drogave


SHBA: Shqipëria - vend tranzit për trafikantët e drogave

SHBA: Shqipëria - vend tranzit për trafikantët e drogave

Departamenti amerikan i Shtetit nxorri të hënën raportin vjetor për strategjinë ndërkombëtare kundër drogave. Në raport thuhet se Shqipëria shërben si një vend tranzit për trafikantët e drogave që transportojnë heroinën e prodhuar në Afganistan, nga Azia Qendrore për në destinacione të ndryshme në Evropën Perëndimore.

Në vitin 2009, në Shqipëri u shtua sasia e heroinës së kapur, ndërsa ka rënë sasia e marihuanës së kapur. Në përgjigje të trysnisë ndërkombëtare, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, qeveria e Shqipërisë, u është kundërvënë me agresivitet elelemtëve kriminale, ndonëse përpjekjet e saj pengohen nga mungesa e burimeve dhe ekspertizës si dhe nga korrupsioni i lartë.

Dalja në Adriatik, si dhe kufijtë tokësorë jo të ruajtur mirë, e bëjnë këtë vend një ndalesë tërheqëse për trafikantët që fusin droga në Evropën Perëndimore, pjesësisht edhe si rezultat i mungesës së fiondeve për të financuar përpjekjet anti-drogë dhe korrupsionit të përhapur mes zyrtarëve të rendit.

Ndërsa historikisht shumica e drogave kalonin përmes Detit Adriatik, politikat më agresive të qeverisë shqiptare, si dhe patrullimi më i mirë i bregdetit, kanë bërë që trafikantët t’i zhvendosin rrugë-kalimet drejt kufijve tokësore me Kosovën dhe Malin e Zi, duke përdorur Serbinë dhe Bosnjen si pika tranziti. Moratoriumi i qeverisë shqiptare ndaj anijeve të shpejta ka bërë që të ngadalësohet lëvizja e drogave dhe trafiku i njerëzve drejt Italisë.

Në janar të vitit 2009, firma Lokheed Martin përfundoi instalimin e një sistemi radarësh për mbikqyrjen e detit, gjë që u jep autoriteteve shqiptare të dhëna në kohë reale se çfarë mjetesh lundruese ndodhen në ujrat detare të vendit.

Policia shqiptare, thuhet më tej në raportin e Departamentit të Shtetit, vazhdon të kapë sasi më të mëdha heroine nga viti në vit. Sipas të dhënave nga Italia, sasia e drogës afgane e kapur në Itali, që ka shkuar aty drejtëpërdrejtë nga Shqipëria, mbetet në kuota të ulta. Korrupsioni, thuhet më tej në raport, vazhdon të mbetet një problem madhor për Shqipërinë.

Pagat e ulta, një shoqëri që e pranon gjerësisht rryshfetin, lidhjet e ngushta shoqërore, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit në radhët e policëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave. Megjithëse rastet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion janë shtuar, Shqipëria vazhdon të vuajë për shkak të mungesës së pavarësisë e gjyqësorit, nga mungesa e transparencës së procedurave ligjore dhe shumë raste nuk zgjidhen kurrë.

Hetimet e rasteve të korrupsionit pengohen nga imuniteti që gëzojnë zyrtarë të lartë të qeverisë, gjykatës dhe anëtarë të parlamentit. Trafikimi i drogave vazhdon të përbëjë një nga profesionet e paligjshme më fitimprurëse në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë, thuhet në raport, njofton se përdorimi i drogave në vend ka ardhur në rritje. Sipas ministrisë, në Shqipëri ka rreth 30 mijë përdorues drogash, por të dhënat mbi të cilat bazohet kjo shifër, nuk janë shumë të besueshme.

Qeveria e Shqipërisë, shkruan raporti i Departamentit të Shtetit, ka marrë masa kundër përdorimit të drogës, por përsëri përpjekjet e saj pengohen nga infrastruktura e pamjaftueshme shëndetësore për t’u marrë me trajtimin e përdoruesve të drogave.

XS
SM
MD
LG