Lidhje

Kushner: Ardhmëria e Kosovës dhe e Serbisë është në Evropë


Shefi i diplomacisë franceze Bernard Kouchner tha sot se ardhmëria e Kosovës dhe e Serbisë është në Evropë, ndërsa ritheksoi nevojën e dialogut ndërmjet të dyja vendeve. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në komunë e re të Graçanicës, afër Prishtinës, me ç’rast u bëri thirrje qytetarëve serbë që të ndjehen qytetarë të barabartë të Kosovës.

Ministri francez i punëve të jashtme Bernard Kouchner nuk pranoi të komentojë çështjen e të ashtuquajturës “tregti me organe të serbëve të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë”.

Ai e quajti të “çmendur” dhe “të sëmurë” gazetarin e shërbimit serb të “Zërit të Amerikës”, Budimir Nicic, i cili i kërkoi një koment rreth siç u tha, akuzave të familjarëve të serbëve të zhdukur se ai është i përfshirë në tregtinë me organe njerëzore.

“Ti je i sëmurë, pra. Ti je i çmendur, mos fol marrëzira të tillë", ka thënë Kouchner, i cili shtoi se nuk mund të besojë se dikush i bën një pyetje kaq “të mjegullt”.

“Çka është kjo shtëpi e verdhë? Pse e verdhë? Zotëri, ju duhet të shkoni të kontrolloheni te një mjek. Njerëzit që flasin për diçka të tillë janë dështakë dhe vrasës," citohet të ketë thënë ministri Kouchner.

Autoritetet serbe akuzojnë ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për siç thuhet përfshirje ne tregtinë me organet e disa qindra serbëve të rrëmbyer gjatë luftës. Këto pretendime pasuan botimin e librit të ish kryeprokurores së Gjykatës për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, Carla del Ponte, “Gjuetia”, të botuar në vitin 2008. Pas kësaj një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime rreth kësaj çështjeje.

Autoritetet në Kosovë janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë me siç thuhet, këdo që është i interesuar të kryejë hetime të paanshme për zhvillimet gjatë luftës në Kosovë, ndërsa i kanë mohuar akuzat e tilla,duke i cilësuar ato si përpjekje për të dëmtuar luftën e Ish Ushtrisë Çlirimtare por edhe siç thuhet, përpjekje për të vendosur një baraspeshë nga ana e Beogradit i cili është përgjegjës për shumë mizori të kryera në Kosovë. //ii

XS
SM
MD
LG