Lidhje

SHBA: Spitalet kanë nevojë për fonde nga qeveria federale


Presidenti Barak Obama do të flasë përsëri sot mbasdite rreth projekt-ligjit për reformën në kujdesin shëndetsor dhe do t’i bëjë thirrje Kongresit që të votojë sa më shpejt për të. Presidenti Obama do të përsërisë qëndrimin e tij se pse reforma është kaq i rëndësishme dhe se ç’do të thotë për bizneset dhe familjet amerikane. Presidenti pritet të thotë se propozimi i tij përfshin idetë më të mira të të dy partive në Kongresin amerikan.

Ndërsa politikanët në Uashington vazhdojnë debatet rreth këtij projekt-ligji, shumë spitale të Amerikës përballen me vështirësi financiare, mes tyre është edhe spitali në qytetin Warrenton të Virginias.

Roger Baker është president i spitalit Fakir, një klinikë e vogël rreth një orë larg Uashingtonit. Ashti si shumë drejtues spitalesh në gjithë Amerikën, zoti Baker thotë se të ardhurat po bien, ndërkohë që kostoja e punës po rritet. Ai kërkon që Uashingtoni të gjejë një zgjidhje.

“Mendoj se shumë njerëz, mes tyre edhe unë, duan reforma të vërteta. Sistemi në vështrimin afatgjatë nuk mund të vazhdojë të funkionojë”.

Spitali u shërben banorëve të qytetit Warrenton, të Virginias dhe zonës përreth në distriktin Fakir.

Kjo zonë e ka përballuar recesionin më mirë se sa pjesë të tjera të vendit, megjithatë komuniteti po ndjen tani pasojat.

Megjithëse spitali Fakir punon pa përfitim, ai varet nga të ardhurat që mbeten pas shpenzimeve të funksionimit për të paguar për nevojat e tjera. Vitin e kaluar këto të ardhura ishin 2,6 për qind, gjendje kjo që nuk mund të vazhdojë, thotë zoti Baker.

“Kemi nevojë për 5 për qind të ardhura pas pagimit të shpenzimeve në mënyrë që të mbahemi më këmbë, veçanërisht në një komunitet të tillë që vazhdon të rritet. Pra këtu duhet të investohet për spitale të reja dhe të merren në punë mjekë dhe personel shtesë”.

Zoti Baker thotë se ekonomia është pjesë e problemit. Njerëzit nuk u nënshtrohen procedurave mjeksore jo të domosdoshme.

Numri i këtyre procedurave në spital ka rënë 10 për qind për këtë vit. Por edhe numri i pacientëve pa sigurime shëndetësore po shtohet, aktualisht 8 për qind e të gjithë paciantëve, duke u kushtuar spitaleve rreth 6 milion dollarë në vit.

“Mënyra se si e kompensojmë diferencën për pacientët e pasiguruar, pra që nuk paguajnë për kujdesin shëndetësor, është duke përdorur atë pak fitim që nxjerrim nga pacientët, të cilët janë të siguruar”.

Dhe kjo krijon një reagim zinxhir duke rritur pagesën për pacientët e siguruar, ndërkohë që kompanitë e sigurimeve ngrenë çmimet për njerzit që mbulojnë.

Spitali Fakir po përgatitet për shkurtime në programin qeveritar Medicaid, që financon kujdesin shëndetësor për të varfërit.

Shkurtimet mund të pasohen edhe me 5 për qind humbje në të ardhura ose 5 milion dollarë në vit.

“Ne do të na duhet të shkurtojmë disi shërbimet. Do të na duhet të shikojmë nëse mund të eliminojmë ndonjë shërbim”.

Zoti Baker thotë se qeveria federale mund t’i ndihmojë spitalet si ai në distriktin Fakir, duke siguruar sa më shumë njerëz. Një gjë e tillë, shton ai, do të ulte koston e kujdesit shëndetsor.

“Ka vende të tjera me të njëjtat rezultate, por pa shpenzuar sa ne. Mendoj se sfida për profesionin tonë dhe për gjithë vendin është që të arrijmë të përballojmë financiarisht koston e sistemit shëndetsor që ne tashmë e kemi”.

Propozimi i Presidentit Obama kërkon që t'u garantohet kujdes shëndetsor edhe 30 milionë amerikanëve me një kosto prej 1 trilion dollarësh gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Republikanët kanë paraqitur një plan për sigurimin shëndetsor të 3 milion amerikanëve me kosto prej 60 miliardë dollarësh për të njëjtën periudhë. (ze)

XS
SM
MD
LG