Lidhje

Strategjia e NATO-s në Afganistan

  • Jennifer Glasse

Strategjia e NATO-s në Afganistan

Strategjia e NATO-s në Afganistan

Strategjia e NATO-s në Afganistan është e drejtpërdrejtë, thotë Malcolm Chalmers, i Insitutit studimor me bazë në Londër, Royal United Service Institute.

"Strategjia e NATO-s synon të forcojë qeverinë afgane, duke marë masa që një numër gjithnjë e më i madh afganësh të jenë nën kontrollin e qeverisë së vendit, por që në të njëjtën kohë të kenë shërbimet dhe sigurinë e nevojshme për të mbështetur aktivisht qeverinë. Kështu talebanët do të bëhen një force gjithnjë e më dobët".

Presidenti Barak Obama sinjalizoi përkushtimin amerikan ndaj Afganistanit në fund të vitit të kaluar, duke bërë të njohur dërgimin atje të 30 mijë trupave shtesë dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s të ndjekin shembullin e Amerikës.

NATO shtoi 7 mijë trupa të tjera, por nuk është vetëm kjo. Javët e fundit më parë forcat amerikane, britanike dhe afgane filluan ofensivën më të madhe kundër talebanëve që nga koha e fillimit të ndërhyrjes ushtarake në vitin 2001. SHBA drejtojnë operacionin me pjesëmarrjen e e 15 mijë trupave për dëbimin e talebanëve nga provinca e Helmandit në Afganistanin jugor. Zoti Chalmers thotë se operacioni mund të ketë qenë arsyeja e shtimit të numrit të sulmeve vetëvrasëse.

"Forcat e NATO-s edhe pas shtimit të numrit të forcave që bëri të njohur presidenti Obama, por që nuk kanë mbërritur të gjitha atje, nuk janë të mjaftueshme. Kur fillon një rritje e madhe trupash në zona të veçanta, gjë që ka ndodhur kohët e fundit në Helmand, mund të krijohen boshllëqe në rajone të tjera dhe ndoshta ky është një fenomen që ka ndodhur në këtë rast".

Zoti Chalmers thotë se motivet e talebanëve janë të qarta.

"Kjo është një betejë psikologjike, si edhe ushtarake dhe politike dhe kjo është një nga arësyet që talebanët po përpiqen ta shfrytëzojnë. Ata duan të godasin pikërisht vullnetin e amerikanëve dhe të aleatëve të tyre, si dhe atë të qeverisë afgane, duke u përpjekur t’i bindin ata se nuk mund të fitojnë, ashtu sikurse NATO përpiqet t’i bindë talebanët se ata nuk mund të fitojnë".

Ish-presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf tha në një fjalim që mbajti në Institutin Ndërkombëtar Chattham House të Londrës se rajonet fisnore të Afganistanit dhe Pakistanit janë fokusi i sigurisë ndërkombëtare. Ai mbështet zhvillimin e një strategjie të trefishtë: ushtarake, politike dhe social-ekonomike.

"Ne duhet ta mundim al-Kaidën, duhet të dominojmë mbi talebanët dhe të vendosim një qeveri të ligjshme në Afganistan. E di që është më lehtë që kjo të thuhet se sa të bëhet. Por ky është rezultati që në fund të fundit ne duam të arrijmë".

Zoti Musharraf thotë se braktisja e misionit nuk është një mundësi dhe se suksesi vazhdon të jetë e mundur të realizohet.

"Është diçka e realizueshme kur flasim bazuar tek fuqia dhe jo tej dobësia, jo nga pozita ku të gjithë thonë se duhet ta braktisim misonin dhe duhet të larghemi prej andej brenda vitit, një viti e gjysëm, apo dy vjetësh, në këtë rast ne bëjmë punën e armikut. Ne i forcojmë kështu pikëpamjet dhe vendosmërinë tyre".

Dy vende të NATO-s, Kanadaja dhe Holanda, kanë caktuar afate për tërheqjen e trupave. Qeveria holandeze u rrëzua pikërisht lidhur me propozimin për vazhdimin e mbajtjes së trupave në Afganistan edhe pas afatit të këtij viti. Po ashtu, trupat kanadeze janë në plan të largohen nga Afganistani deri në fund të vitit 2011. Ndërsa Presidenti Barak Obama tha se do të shqyrtojë mundësinë e pakësimit të trupave amerikane deri në vitin 2011.

Zoti Chalmers thotë se është tepër herët të thuhet në se shtimi i trupave dhe strategjia e NATO-s në Afganistan po jep sukses.

"Mendoj se ne duhet ta mësojmë shumë shpejt, brenda vitit të ardhshëm në se po arrihet sukses. Lidhur me Afganistanin durimi po soset, jo përsa i përket mbarimit të kryengritjes, por në ruajtjen e momentit të përshtatshëm që ky vend ka patur gjatë vitit të fundit. Ne duhet të fitojmë inisiativën gjatë vitit të ardhshëm. Në se dështojmë ta fitojmë inisiativën në Afganistan, edhe pse atje ka patur një fluks të madh burimesh, atëhere presioni për një qëndrim të ndryshëm do të jetë ai paevitueshëm".

Ndërkohë, misioni i NATO-s fitoi një votëbesim të ri, kur qeveria gjermane votoi javën e kaluar për dërgimin e 850 trupave shtesë në Afganistan. (ze)

XS
SM
MD
LG