Lidhje

Një komision i Kongresit miraton rezolutë për gjenocidin ndaj armenasve


Një komision i Kongresit miraton rezolutë për gjenocidin ndaj armenasve
Një komision i Kongresit miraton rezolutë për gjenocidin ndaj armenasve

Një rezolutë e cila i quan vrasjet e armenasve gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore si genocid është miratuar me një shumicë të ngushtë nga një komision i rëndësishëm i Kongresit amerikan. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës Kent Klein nga Shtëpia e Bardhë, Turqia është përgjigjur duke thirrur ambasadorin e saj nga Uashingtoni për konsultime.

Megjithë kundërshtimet e administratës Obama, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve miratoi dje një rezolutë jo të detyrueshme me 23 vota pro dhe 22 kundër.

Legjislacioni deklaron se vrasjet e armenasve gjatë periudhës së Mbretërisë Otomane përbënin një genocid.

Menjëherë pas rezultatit, qeveria turke i kërkoi ambasadorit të saj në Uashington të kthehet në Ankara për konsultime.

Presidenti amerikan Barak Obama gjatë fushatës së tij zgjedhore në 2008 premtoi se do të deklaronte këto vrasjet si genocid. Por Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku me Turqinë dhe Armeninë në përpjekjet e tyre për pajtim të cilat sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë kanë shënuar përparime. Administrata i bëri thirrje Komisionit të mos e ofendojnë Turqinë përmes miratimit të kësaj rezolute.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u tha gazetarëve në San Jose të Kosta Rikës të mërkurën se miratimi i kësaj rezolute mund të acarojë procesin e pajtimit mes Turqisë dhe Armenisë.

"Që të dy, presidenti Obama dhe unë e kemi bërë të qartë si vitin e kaluar edhe këtë vit se ne nuk besojmë se një veprim nga Kongresi është hapi i duhur dhe ne e kundërshtojmë atë".

Turqia dhe Armenia kanë nënshkruar një marrëveshje në tetor për të normalizuar marrëdhëniet por parlamenti turk ende nuk e ka miratuar atë. Pak para se të fillonte procesi i votimit në Komision, Sekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha se administrata preferon të punojë së bashku me të dy vendet drejt procesit të pajtimit.

Sekretarja Klinton bisedoi me kryesuesin e Komisionit, demokratin Howard Berman të mërkurën dhe e nxiti atë të anulonte seancën apo të votonte kundër rezolutës.

Zoti Berman nuk bëri asnjërën nga të dyja. Gjatë seancës degjimore të djeshme ai tha se marrëdhënjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë do të vazhdojnë të jenë të ngushta megjithë rezultatin e votimeve nga Komisioni.

"Unë besoj se turqit, megjithë zhgënjimit pas rezultatit të sotëm, në thelb bien dakord se aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë është thjeshtë, shumë e rëndësishme për një braktisje si rezultat i një rezolute jo të detyrueshme të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve".

Zoti Berman dhe përkrahësit e tjerë të rezolutës thanë se Shtetet e Bashkuara e kanë një detyrim moral të ngrejnë zërin kundër genocidit duke parandaluar mundësin që ai të përsëritet në të ardhmën.

Ligjëvënësi republikan Dan Burton kundërshtoi rezolutën duke nënvizuar se baza e Forcave Ajrore Amerikane në Turqi është e një rëndësie jetësore për operacionet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nanci Pelosi nuk ka thënë në se rezoluta për genocid do të hidhet në votë të plotë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Komisioni për Mardhënje me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve miratoi një rezolutë të ngjashme në vitin 2007. Pas presioneve të pandërprera nga presidenti i atëhershëm Xhorxh G. Bush, rezoluta nuk u hodh në votë të përgjishme në Dhomën e Përfaqësuesve.

Armenasit thonë se vrasjet e më shumë se 1.5 milion armenasve mes viteve 1915 dhe 1923 ishin rezultat i një fushate të orkestruar nga turqit otoman.

Zyrtarë turq e kundërshtojnë me forcë etiketën genocid. Ata thonë se shumë më pak armenas u vranë dhe se ata ishin vrarë gjatë luftës civile në të cilën humben jetën edhe shumë turq. //rd//


XS
SM
MD
LG