Lidhje

Irakianët në mërgim janë optimistë për rezultatin e zgjedhjeve


Irakianët në mërgim janë optimistë për rezultatin e zgjedhjeve

Irakianët në mërgim janë optimistë për rezultatin e zgjedhjeve

Të mërguarit irakianë kanë votuar për zgjedhjet parlamentare, që zhvillohen nesër për 325 vendet e këtij organi ligjvënës. Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në Irak që prej ndërhyrjes ushtarake të vitit 2003, që përmbysi rregjimin e Sadam Husseinit. Këto zgjedhje shikohen si provë e aftësisë së Irakut për të garantuar sigurinë dhe për të realizuar kalimin e qetë të pushtetit. Të mërguarit irakianë, që votuan në Uashington dhe vende të tjera, janë optimiztë rreth këtij procesi.

Kjo është një ngjarrje që Fatima Mohamad shpreson që dy fëmijët e saj nuk do ta harrojnë kurrë.

“Shpresoj t’i mësoj se mundësia për të votuar është një gjë e madhe. Veçanërisht për faktin që ata janë nga Iraku dhe duhet ta dinë se në të kaluarën ne nuk e kishim këtë privilegj. Pra është një ndryshim i madh sidomos për nënën e tyre që humbi tre xhaxhallarë, që u vranë nga Sadam Huseini”.

Zonja Mohamad dhe familja e saj janë shiitë të Irakut, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Këto zgjedhje janë veçanërisht të rëndësishme për të sepse i jati po kandidon.

“Ai po kandidon për të përfaqësuar Karbalan dhe shpreson ta ndryshojë të gjithë zonën, Edhe unë shpresoj për këtë”.

Zonja Mohamad dhe shumë irakianë të tjerë që jetojnë në Amerikë thonë se janë optimistë për këto zgjedhje. Irakiani me prejardhje kurde Daud Bazid, thotë se për herë të parë ai ndjehet se është pjesë e Irakut.

“Nëse irakianët bashkohen dhe lënë mënjanë prejardhjen e tyre, pavarësisht nëse janë suni, shiit apo kurdë, dhe punojnë për ndërtimin e vendit, atëhere Iraku do të ndryshojë”.

Shumica e irakianëve mund të votojnë nesër, por ata që banojnë jashtë vendit kanë tre ditë kohë që të votojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në 15 vende të tjera.

Kombet e Bashkuara llogarisin se rreth 2 milion irakianë jetojnë jashtë Irakut, shumica në Jordani e Siri.

Shumë prej të mërguarve irakianë janë suni që ikën nga vendi pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara më 2003.

Votat e tyre, shpresojnë udhëheqësit suni, mund të krijojnë balancë me shumicën shiite të Irakut. Ja si u shpreh në një qendër votimi në Siri, ky refugjat irakian.

“Kjo është hera e dytë që votoj, shpresoj që zgjedhjet të jenë të ndershme dhe transparente”.

Refugjatë irakianë votuan edhe në Aman të Jordanisë. Dhe të gjithë këta të mërguar, mes tyre edhe Fatima Mohamad, që banon në Amerikë, shpresojnë që zgjedhjet do të jenë kuptimplote dhe do të sjellin ndryshime. Zonja Mohamad shpreson që vota e saj të sjellë ndryshime, madje ajo ëndëron për atë ditë kur ajo dhe familja e saj të kthehen në një Irak të sigurtë dhe demokratik. (ze)

XS
SM
MD
LG