Lidhje

Sateliti evropian CryoSat premton shpjegime për ngrohjen globale


Sateliti evropian CryoSat premton shpjegime për ngrohjen globale
Sateliti evropian CryoSat premton shpjegime për ngrohjen globale

<!-- IMAGE -->

Të gjithë kemi dëgjuar për problemin e shkrirjes së akullnajave në dy polet e globit. Por askush nuk e di se me ç'ritme po realizohet kjo shkrirje. Deri tani nuk ka pasur të dhëna të sakta lidhur me ndryshimin e përmuajshëm të masave akullnajore që mbulojnë si tokën ashtu edhe ujin në pole. Tani Agjencia Evropiane e Hapësirës po organizon një projekt me titull 'misioni i akullit' për të përllogaritur pikërisht këto ndryshime:

Sateliti CryoSat 2 do të përllogarisë me saktësi ndryshimet në masat akullnajore dhe aisbergët që mbulojnë mbi 20 për qind të planetit tonë.

Duncan Wingham, shkencëtari kryesor i satelitit thotë se misioni përqendrohet në masën akullnajore të Oqeanit të Ngrirë të Veriut dhe atë të Antarktidës, pasi këto masa luajnë një rol kyç në rregullimin e klimës së globit.

"Shpresojmë që përmes satelitit CryoSat të marrim një ide të ndryshimeve që po përjetojnë shtresat e akullta, gjë që po ndikon tek ndryshimi i nivelit të detit, si dhe ndryshimet në Oqeanin e Ngrirë të Veriut që mund të jenë faktor i luhatjes së klimës veçanërisht në kontinentin evropian".

Sateliti peshon 700 kilogramë dhe funksionon bazuar në teknologji të provuara në misionet e mëparshme të Agjencisë Evropiane të Hapësirës. Shkencëtari Wingham shpjegon se sateliti i ri ka një ndjesor special që do t'i ndihmojë shkencëtarët të gjejnë disa përgjigje shumë të nevojshme në studim.

Nga një lartësi prej 700 kilometrash, sateliti do të masë deri në centimetra ndryshimin e trashësisë së mbulesës së akullt.

Të dhënat e marra gjatë një periudhe 3 vjeçare do të ofrojnë prova të ritmeve të shkrirjes së shtresës akullnajore. Dr. Johnny Johanessen thotë se këto të dhëna do të ofronin një shpjegim më të plotë të ndryshimeve në nivelin e detit:

"Ende nuk e shpjegojmë dot përse po rritet niveli i detit në disa pika, ndërsa në pika të tjera po ulet. Për ta kuptuar këtë duhet të mësojmë sa ujë i ëmbël po çlirohet nga akullnajat nëpër oqeane. Duhet të kuptojmë si ndodh procesi i ngrohjes së oqeanit dhe këtë do ta kuptojmë kur të kemi të dhënat e hollësishme të procesit dhe t'i krahasojmë ato".

Shkencëtarët dhe meteorologët në të gjithë botën po presin me kureshtje të dhënat e para të satelitit CryoSat, që shpresojnë se do t'u japë mundësi të kuptojnë më mirë një prej faktorëve të ngrohjes globale. //iç//

XS
SM
MD
LG