Lidhje

Ceremonia e 82 vjetore e çmimeve Oskar


Filmi mbi luftën në Irak, The Hurt Locker mbizotëroi ceremoninë e 82 vjetore të Çmimeve Oscar mbrëmë në Hollivud. Ky film fitoi çmimin Oscar në 6 kategori të ndryshme, mes tyre edhe kategorinë më të rëndësishme dhe prestigjoze atë të Filmit më të Mirë të vitit. Filmi The Hurt Locker shënoi gjithashtu herën e parë që një femër, regjisorja Kathrin Bigelou, fiton në kategorinë e regjisorit më të mirë.

Aktori Tom Henks njoftoi çmimin e filmit më të mirë, The Hurt Locker, i cili konkuronte me filma të tjerë tepër të sukseshëm, Avatar, Up dhe The Blind Side. Me fitime prej vetëm 12,6 milionë dollarë në Amerikë, The Hurt Locker është fituesi i çmimit Oskar me të ardhurat më të ulëta në periudhën moderne kur regjistrohen shumat nga shitja e biletave. Fitimet e filmit Avatar arritën në 720 milionë, ndërsa filmat Up dhe The Blind Side me 200 milionë dollarë.

Këngëtarja dhe aktorja Barbra Streisand njoftoi çmimin Oscar për regjisorin më të mirë, duke u shprehur se ka ardhur koha që një grua të fitojë këtë çmim.

Duke pranuar çmimin, Kathrin Bigelou e cilësoi fitoren e saj si një moment për t’u shënuar në jetë. Ajo falenderoi telentet e tjera dhe ekipin realizues, madje ia dedikoi çmimin pjesëtarëve të ushtrisë që shërbejnë në Irak dhe Afganistan.

“Nuk ka mënyrë tjetër ta përshkruaj këtë moment. Është një moment që të jepet një herë në jetë. Dua t’ia dedikoj këtë çmim burrave dhe grave në ushtri, që rrezikojnë jetën çdo ditë në Irak dhe Afganistan si dhe kudo në botë. Dëshiroj që ata të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi”.

Filmi i regjisores Bigelou, mes të tjerash fitoi edhe çmimin e skenaristit më të mirë. Filmi The Hurt Locker fitoi përkundrejt konkurentit kryesor, filmi me fitimet më të madha, Avatar. Regjisor i Avatar ishte James Cameron, ish bashkëshorti i zonjës Bigelou. Që të dy filmat ishin emëruar nga Akademia e çmimeve Oskar për 9 kategori të ndryshme. Avatar fitoi në 3 kategori, atë të drejtimit artistik, kinematografisë dhe efekteve vizuale.

Jeff Bridges ishte emëruar për kategorinë e aktorit më të mirë për rolin e një muzikanti të moshuar të muzikës kantri në filmin Crazy Heart. Ky film fitoi çmimin Oskar edhe në kategorinë e këngës origjinale.

Aktori Bridges falenderoi prindërit e tij që e nxitën atë t’i hynte jetës së artit. Ky çmim Oskar tha ai, është nder për prindërit e mi po aq sa edhe për mua.

Çmimin Oskar si aktori më i mirë në rolin dytësor e fitoi Kristof Valtc për rolin e një koloneli nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore në filmin Inglorious Basterds. Duke pranuar çmimin, ai falenderoi regjisorin Quentin Tarantino.
“Nuk mund të të falenderoj sa duhet, megjithatë mund të filloj që tani”.

Aktori Shan Pen njoftoi fituesen e çmimit në kategorinë aktorja më e mirë, Sandra Bullock për interpretimin në filmin The Blind Side. Për Sandra Bullock 2009 ishte një vit shumë i mirë, me dy filma të sukseshëm si dhe një zhgënjim.

“E meritova me të vërtetë këtë çmim, apo u lodhët me mua. Dua të falenderoj shumë njerëz po nuk ka kohë të mjaftueshme. Dua të vë theksin tek tema e këtij filmi, në qendër të të cilit janë nënat, që kujdesen për fëmijët pavarësisht se cilët prindër i kanë lindur”.

Çmimin Oskar si aktorja më e mirë në rolin dytësor e fitoi Mo'Nique, e cila luante rolin e një nëne abuzuese të një adoleshenteje me probleme në filmin Precious.

XS
SM
MD
LG