Lidhje

Shqipëria siglon Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit me BE-në


Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Barroso deklaroi në Tiranë se me siglimin e Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, Shqipërisë i jepet shansi të vërtetojë interesimin e madh të popullit shqiptar për t’u bashkuar me familjen evropiane.

Zoti Barroso i bëri këto komente gjatë një vizite në Tiranë, ku përmendi edhe një herë sfidat që ka Shqipëria për integrimin në BE: një drejtësi të fortë dhe të pavarur, luftë kundër krimit të organizuar dhe zhvillimin ekonomik.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, -tha zoti Barroso në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha. “ Ne sot -tha ai,- kemi sigluar Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit, që ka një pjesë të rëndësishme për zhvillimin e tregut të lirë si dhe komponente të tjera politike, duke siguruar mbështetjen edhe të 25 shteteve të tjera të BE-së."

Zoti Barroso vlerësoi kontributin disa vjeçar të shumë zyrtarëve shqiptarë në realizimin e kësaj marrëveshjeje dhe kërkoi që të gjitha partitë politike në Shqipëri të kontribuojnë në stabilitetin politik të vendit, duke zgjidhur me mirëkuptim çështjet më të rëndësishme. Nga ana e tij, zoti Berisha tha se qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar, janë të angazhuara për të arritur standartet e BE-së, duke përmirësuar ekonominë insitucionet demokratike dhe jetën e vendit.

“Qeveria, -tha ai,- është e vendosur të luftojë korrupsionin, trafiqet dhe kriminalitetin dhe të përmirësojë treguesit e ekonomisë së vendit.”

Presidenti i Komisionit Evropian Barroso mbajti gjithashtu një fjalim edhe para Parlamentit shqiptar, ku theksoi se Shqipëria duhet të bëjë përpjekje serioze për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Për të arritur këtë- tha ai-, Shqipëria duhet të marrë masa për të forcuar ligjin dhe për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, të ngrejë një sistem gjyqësor të fuqishëm dhe të pavarur”.

Sipas tij, Shqipëria dihet të liberalizojë më tej ekonominë, për të përfituar investime të huaja dhe për të nxitur konkurrencën. Zyrtari i lartë i BE-së premtoi mbështetjen e pandërprerë për integrimin e Shqipërisë në BE, si në programet e zhvillimit të arsimit, në kërkimet shkencore universitare dhe në eksportimin e prodhimeve vendase.

Gjatë vizitës disa-orëshe në Tiranë, e ndjekur me interesim të jashtëzakonshëm nga qarqet politike dhe mediat vendore, zoti Barroso u takua edhe me Presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu dhe me Kryetaren e Parlamentit, zonjën Jozefina Topalli.

XS
SM
MD
LG