Lidhje

Supernova më e vjetër - 2001-04-09


Astronomët amerikanë kanë vrojtuar supernovën më të largët dhe më të vjetër, të parë deri më sot, një yll që ka shpërthyer 10 miliardë vjet drite larg. Vrojtimi i supernovës nëpërmjet teleskopit Hubble të Hapësirës, mbështet idenë befasuese që zgjerimi i universit tonë nuk është duke u ngadalësuar siç mendohej zakonisht, por duke u përshpejtuar. Supernova e zbuluar së fundi, është një herë e gjysmë më larg se çdo supernovë tjetër e parë deri më sot. Ajo ka shpërthyer kur universi ishte i ri, vetëm disa miliardë vjet pas shpërthimit fillestar të njohur me emrin Big Bang, apo Shpërthimi i Madh, që mendohet të jetë zanafilla e gjithësisë.

Përftimi i kësaj pamjeje të largët është diçka e re në vetvete. Por një nga astronomët që vrojtuan supernovën, Adam Reiss i Institutit Shkencor të Teleskopit të Hapësirës në Baltimore, thotë se gjëja më e rëndësishme është se “zgjerimi i universit tani është duke u përshpejtuar, duke na dhënë një provë të re për këtë dhe veç kësaj tregon një fazë më të hershme të universit, kur zgjerimi i tij ishte duke u ngadalësuar.”

Astronomët e grumbulluan këtë informacion duke përdorur disa pamje të teleskopit Hubble, për të përcaktuar se çfarë ndiçimi kishte supernova në kulmin e shpërthimit. Meqenëse supernovat arrijnë gjithmonë të njëjtin ndriçim, shkencëtarët mund të përcaktojnë largësinë e tyre dhe çfarë ndriçimi ka drita e tyre, kur arrin tek shkencëtarët. Në këtë rast ylli ishte më i ndritshëm nga sa pritej, gjë që tregon se ai është më afër nga sa mendohej. Sipas astronomëve kjo ndodh ngaqë universi i hershëm është zgjeruar më ngadalë nga sa mendohej fillimisht. Kjo forcon idenë befasuese se zgjerimi ka filluar të përshpejtohet disa miliarda vjet më parë, kur universi kishte gjysmën e moshës që ka sot. Kjo ide lindi në vitin 1998, kur drita e mugët në mënyrë të pazakontë e disa supernovave bëri të lindë ideja se universi ishte duke u zgjeruar më shpejt sesa në të kaluarën. Me fjalë të tjera ato ishin më larg nga sa pritej.

“Në fillim, thotë astronomi Adam Reiss ndodhi Big Bangun dhe universi nisi të zgjerohet. Por ky zgjerim ngadalësohet, sepse gravitacioni normal e frenon atë. Pastaj ai fillon të përshpejtohet për shkak të njëfarë force misterioze, një lloj energjie të errët dhe kjo supernovë vjen tek ne nga koha kur zgjerimi i universit ishte duke u ngadalësuar. Pra në këtë mënyrë, ne mund të gjurmojmë në të vërtetë historinë e zgjerimit të universit.”

Ekzistencën e së ashtuquajturës energji të errët për herë të parë e pranoi si të mirëqënë fizikanti Albert Ajnshtajn, rreth një shekull më parë. Ai e përdori atë për të shpjeguar se çfarë e pengonte gravitetin ta ngjeshte universin. Atij i lindi kjo ide në një kohë kur universi konsiderohej statik dhe e quajti atë Konstante Kozmologjike. Kur në vitin 1929 astronomi Edwin Hubble zbuloi që universi ishte duke u zgjeruar, Ajnshtajni e flaku tej konstanten kozmologjike, duke e quajtur atë gabimin më të madh të jetës së tij.

Por vrojtimet e reja po e ringjallin atë koncept, veçse në një mënyrë tjetër. Tani nuk mendohet më që kjo forcë e mban universin të palëvizshëm, përballë tërheqjes gravitacionale. Përkundrazi mendohet se duke mposhtur tërheqjen gravitacionale ajo bën që universi të zgjerohet gjithnjë e më shpejt.

Astronomi i universitetit të Çikagos, Michael Turner, thotë se ky është zbulimi më i rëndësishëm shkencor i 25 vjetëve të fundit. “Kjo energji e errët ka forcë shtytëse”, thotë astronomi Turner. “E vetmja gjë që nuk dimë është se çfarë është kjo energji. Por besoj se brenda disa vjetësh do t’ia gjejmë përgjigjen dhe duke ia gjetur përgjigjen mendoj se do të jemi në gjendje t’u përgjigjemi pyetjeve rreth fatit të universit dhe mënyrës se si përshtaten me njëra-tjetrën forcat dhe grimcat e natyrës. Kjo tregon se sa thelbësore dhe e rëndësishme është kjo energji e errët”, thote astronomi Turner.

Pamje të supernovave kanë qenë relativisht të rralla. Nga fundi i këtij viti astronomë të Shteteve të Bashkuara do të instalojnë në Teleskopin Hubble një kamerë të re, e cila pritet ta lehtësojë zbulimin e supernovave. Ajo do të jetë 10 herë më e fuqishme në krahasim me kamerën e tanishme të teleskopit, gjë që do të ndihmojë në zgjidhjen e mistereve të tilla kozmologjike.

Links

XS
SM
MD
LG