Lidhje

Instituti Tekonologjik i Masaçusetsit revolucionarizon procesin mësimor - 2001-04-09


Instituti i Teknologjisë, i shtetit Masaçusets, një ndër universitetet më të njohur të Shteteve të Bashkuara, po ofron një mënyrë revolucionare të mësuari. Instituti po fut në Internet të gjithë programet e tij mësimore dhe kushdo mund t’i përdorë ato falas.

Në faqet kompjuterike, do të përfshihen të 2 mijë kurset e tij. Megjithatë projekti do të nisë me modesti dhe gjatë dy vjetëve të ardhshëm do te futen në internet vetëm rreth 500 kurse.

Kjo konsiderohet një nismë me përmasa tepër të mëdha, më e madhja e llojit të vet. Edhe universitete të tjera kanë hyrë në Internet, por me një ndryshim. Kurset e tyre janë më të kufizuara dhe me njëfarë pagese. Kurse në rastin e Institutit Teknologjik të Masaçusetsit nuk bëhet fjalë për para, të paktën për tani. Rektori i Universitetit, Charles Vest, thotë se Instituti Teknologjik i Masaçusetsit, i cili konsiderohet si një nga institucionet më të rëndësishëm të arsimit të lartë në botë, ndien një lloj detyrimi për ta ndarë me të tjerët pasurinë e tij intelektuale.

Pjesëmarrja në programin kompjuterik do të jetë vullnetare për anëtarët e fakulteteve. Por rektori i Institutit thotë se nuk e pati të vështirë të gjente vullnetarë. Shumica, thotë ai, janë të interesuar.

“Në Institut, thote rektori Vest, mbizotëronte një ndjenjë e fortë që faqja kompjuterike duhet të aktivizonte sa më shumë njerëz. Dhe që qëllimi i saj duhet të jetë përhapja e dijes me bujari dhe shpresa se me kalimin e kohës edhe institucione të tjera do të ndjekin shëmbullin tonë.”

Pastaj është edhe çështja e pronës intelektuale, e së drejtës së autorit, një problem i madh ky në qarqet akademike. Sipas rektorit Vest, në Institut doli që ky problem nuk ishte aq i madh sa pritej.

“Shumë pak njerëz ishin të shqetësuar për këtë, thotë rektori Vest, sepse kjo bëhet vullnetarisht. Në se ka aty këtu ndonjë njeri që kërkon t’i mbrojë materialet e tij, kjo është e drejta e tyre. Por shumica ishin të mendimit se ne duhet të përhapim dijen dhe arsimin e kualifikuar dhe ata i janë përveshur punës për këtë.”

Pritet që kurset e Institutit Teknologjik të Masaçusetsit në Internet të tërheqin një numër të madh studentësh amerikanë, ndonëse vizitorët e faqes kompjuterike nuk mund të marrin diplomë kolegji. Rektori i Institutit parashikon një përdorim më të gjërë të faqeve elektronike të Institutit, nga studentë të vendeve të tjera, që janë akoma në procesin e zhvillimit të sistemeve të tyre arsimore.

Kostoja e fillimit të këtij programi kompjuterik mendohet të jetë ndërmjet 7 dhe 10 milionë dollarë. Rektori i Institutit, Vest, nuk mendon që kjo t’i nxjerrë probleme. Ai ka besim se shumë ndihmesa filantropike do t’i drejtohen institutit të tij, shumë të njohur dhe të respektuar kudo në botë.

Links

XS
SM
MD
LG