Lidhje

Kina vendos të lirojë ekuipazhin e aeroplanit amerikan - 2001-04-11


Presidenti Bush e përshëndeti suksesin diplomatik sipas së cilit Kina u zotua t’i kthejë anëtarët e ekuipazhit të avionit amerikan të zbulimit. Në marrëveshje, Shetetet e Bashkuara i zgjeruan komentet e tyre në të cilat shprehej keqardhja për incidentin, por përsëri nuk kërkuan ndjesë drejt për drejt. Incidenti ajror i një prillit si dhe ndalimi i 24 anëtarëve të ekuipazhit amerikan ishin kriza e parë në politikën e jashtme që nga ardhja e presidentit Bush në Shtëpinë e Bardhë. Sot në mëngjes ai mësoi lajmin për përparimin diplomatik në zgjidhjen e kësaj krize.

Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët para se të nisej për një vizitë në Karolinën e Veriut, presidenti tha se është i kënaqur që ka filluar zbatimi i planeve për kthimin e shpejtë të anëtarëve të ekuipazhit amerikan. Ai tha se kriza 11 ditëshe ka qenë një gjendje e vështirë për të dyja palët, dhe ritheksoi keqardhjen amerikane lidhur me vdekjen e pilotit amerikan nga incidenti ajror.

“E di që populli amerikan bashkohet me mua në këtë mesazh keqardhjeje për humbjen e jetës së pilotit kinez”, tha presidenti Bush. “Ne po lutemi për bashkëshorten dhe të birin e tij. E vlerësoj punën e madhe të ambasadorit tonë në Kinë, Joseph Prueher, si dhe të të gjithë personelit të ambasadës, të cilët u angazhuan pa u lodhur për zgjidhjen e kësaj gjendjeje.”

Ambasadori Prueher, ish-admiral i Marinës Amerikane dhe komandant i forcave në Azinë Lindore, ishte përfaqësuesi i administratës në negociatat e vështira lidhur me letrën drejtuar ministrit të jashtëm kinez Tang Jiaxuan, e cila i dha fund ballafaqimit.

Në dokument qeveria amerikane thotë se ndjen keqardhje të madhe si për vdekjen e pilotit ashtu edhe për faktin që avioni i dëmtuar amerikan u detyrua të futet në hapësirën ajrore kineze dhe të zbresë pa leje. Në letër nuk kërkohet ndjesë dhe nuk pranohet fajësi për incidentin, por theksohet se ngjarja ende nuk është e qartë plotësisht. Në letër thuhet gjithashtu se të dyja palët kishin rënë dakort të zhvillonin një takim duke filluar nga data 18 prill për të diskutuar mbi incidentin, për të shqyrtuar alternativa për shmangien e incidenteve të tilla në të ardhmen dhe një plan për kthimin e menjëhershëm të avionit amerikan.

Aty përmenden synimet e Kinës për të ngritur çështjen e fluturimit të avionëve amerikanë të përgjimit në afërsi të brigjeve të saj, por nuk shprehet ndonjë angazhim nga ana e Shteteve të Bashkuara që t’u japin fund atyre.

Zyrtarët e administratës nuk pranuan të diskutonin mbi nuancat kuptimore të letrës para lirimit të 24 anëtarëve të ekuipazhit amerikan. Por ata thanë se formulimi nuk kishte shumë ndryshime nga një variant i paraqitur disa ditë më parë dhe se administrata e kishte hedhur poshtë kërkesën për të pranuar që avioni amerikan kishte shkelur hapësirën ajrore kineze. Letra thoshte se avioni, i cili u dëmtua rëndë, kishte bërë një zbritje të detyruar në Ishullin Hainan, pasi kishte ndjekur procedurat ndërkombëtare për raste emergjence.

XS
SM
MD
LG