Lidhje

Metoda e re për kurimin e migrenës - 2001-04-16


18 për qind e grave amerikane dhe 6 për qind e burrave vuajnë nga sëmundja e migrenës. Adele Barusek është një prej tyre. Ajo e ndjen se kur do t’i fillojë dhimbja e kokës nga shenjat e zakonshme të saj: fillimisht, ajo shikon një dritë vezulluese, pastaj i fillon dhimbja e fortë e kokës dhe më pas të përzjerat. Krizat e migrenës, që zgjasin për 12 deri në 24 orë, dhe që përsëriten një herë në disa ditë, e bëjnë atë të vuajë dhe ja vështirësojnë së tepërmi jetën.

“Kur e ndjeja se po më fillonte migrena, ndjeja shumë panik, ngaqë e dija se çfarëdo plani që të kisha ditën e tjetër, do ta shtyja për më vonë. Do të kisha nevojë që dikush të kujdesej për fëmijët e mi dhe nuk do të isha në gjendje të shkoja në punë” - shpjegon pacientja. Mjeku Richard Lipton thotë se pacientët që vuajnë nga migrena duhet të provojnë mesatarisht 6 mjekime, para se të gjejnë atë që i bën efekt për dhimbjet e forta të kokës.

“Midis mjekëve dhe pacientëve që vuajnë nga migrena ekziston një hendek i madh lidhur me intensitetin e krizave të migrenës. Zakonisht ne mjekët na kanë mësuar t’i pyesim pacientët ku e ndjejnë dhimbjen e kokës, sa e fortë është ajo, a është therëse, a shoqërohet dhimbja me të përzjera. Por ne asnjëherë nuk i pyesim pacientët se në ç’masë ndikon migrena në jetën e tyre të përditshme” - thotë doktori.

Zakonisht mënyra e kurimit të migrenës bazohet në dhënien graduale të mjekimit, nga më i lehti në më të fortin, derisa të gjendet mjekimi më i efektshëm. Por në një studim të bërë me 800 pacientë, u arrit në përfundimin se mjekimi sipas një metode të re, të quajtur metoda e shtresëzimit, kishte rezultate më të mira tek pacientët. Sipas kësaj metode, mjekimi zgjidhet sipas shkallës së dhimbje së kokës dhe mënyrës si ndikon dhimbja e fortë në jetën e përditshme të pacientit. Metoda e shtresëzimit ka rezultat më të shpejtë dhe në afat të gjatë ajo u kursen para pacientëve, ngaqë ata nuk kanë nevojë të shkojnë shumë shpesh tek mjeku. Tani mjekët amerikanë kanë filluar t’i kurojnë pacientët me migrenë sipas metodës së re, tepër të efektshme.

XS
SM
MD
LG