Lidhje

Teknikë  e re në zbulimin  e tumoreve kanceroze - 2001-04-16


Vitamina B-12 është e njohur për dobitë që i sjell shëndetit, por tani një grup shkencëtarësh amerikanë po e përdor atë për të zbuluar kancerin në fazat e tij të hershme. Ekspertë në klinikën Mayo, në Rochester të shtetit Minesota, kanë zbuluar një metodë për zbulimin e tumorëve, të cilët kanë qenë vështirë të zbuloheshin duke përdorur mjetet e zakonshme të diagnostikimit. Teknika e re ndihmoi në zbulimin e një tumori kanceroz tek pacientia Deb Evans. Ajo kishte bërë mamografi, tomografi, bile edhe skanografi të kockave, pa ndonjë sukses. Kur si alternativë e fundit, asaj i mbeti të bënte një operacion rrënjësor të gjirit, ajo iu drejtua klinikës Mayo:

“Ta shihja veten të shëmtuar nuk ishte gjë e lehtë për mua, sepse edhe nëna më ka vdekur nga kanceri i gjirit. Asaj i bënë një operacion të plotë të gjirit dhe pastaj rrezatim, duke e lënë të shpërfytyruar me këto procedura” - thotë Evans.

Mjeku Douglas Collins është radiologu që zhvilloi teknikën e re. Në bazë të kësaj teknike pacientit i injektohet vitaminë B-12 dhe një atom radioaktiv. Pastaj, pas tri orësh përdoret një kamerë e posaçme për të krijuar një pamje 360 gradëshe të gjirit.

“Ajo që sheh në këtë rast është një zonë e nxehtë. Ajo mund të jetë e zezë ose e bardhë, në varësi të mënyrës se si dëshiron t’i shohësh pamjet e filmuara. Është një zonë e fokusuar që mund ta shohësh në gjoks, në gji, ose në tru, një zonë që del në pah, sepse indet normale përreth nuk e absorbojnë vitaminën B-12”-shpjegon mjeku.

Për zonjën Evans, diagnoza ishte një ndryshim i madh. Ajo mund të bënte lumpektomi, pra një operacion që do t’i hiqte vetëm tumorin dhe një masë të vogël të indit përreth, duke ia lënë gjirin thuajse të paprekur.

“Jam shumë mirënjohëse për këtë teknikë e cila na bën të shpresojmë se së shpejti nëpërmjet saj mjekët do të mund të zbulojnë tumorin, vendin e saktë ku ai ndodhet dhe nuk do të jetë më e nevojshme të operohet gjithë gjiri, në rast se nuk është nevoja për një të tillë.”

Nga studimet del se metoda e re është e efektshme për të zbuluar jo vetëm tumorët e gjirit, por edhe tumorët e mushkërive, të zorrës së trashë, të tiroides, të kockave, të prostatës, të trurit dhe të limfomës.

XS
SM
MD
LG