Lidhje

Virusi i skizofrenisë - 2001-04-16


Skizofrenia është një sëmundje mendore, e cila i ka çoroditur për një kohë të gjatë, specialistët e këtyre lloj sëmundjeje. Rreth një përqind e popullsisë së botës vuan nga skizofrenia, e cila në të shumtën e rasteve godit të rinjtë e moshave deri në 30 vjeç, zakonisht pa shenja paralajmëruese. Papritur, studentë universitarë me rezultate të mira ose njerëz në moshë të re, në mes të karrierës së tyre, mund të fillojnë të dëgjojnë zëra dhe të kenë ide fikse, ose të bëhen paranojakë.

Skizofrenia nuk trashëgohet në familje. Megjithatë disa ekspertë mendojnë se diçka e lashtë, e varrosur thellë brenda kodit gjenetik të njeriut, mund të shkaktojë çrregullimin mendor në disa rrethana të caktuara.

Robert Yolken, profesor i pediatrisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins, në Baltimore, kryeson një grup kërkuesish shkencorë, të cilët po shqyrtojnë mundësinë që një virus i fjetur, i kodifikuar në genomën njerëzore, zgjohet në njëfarë mënyre tek disa njerëz, tek të cilët shfaqet më vonë skizofrenia.

“Ne, thotë ai, vendosëm të përqendrohemi tek elementët e quajtur viruse të fjetur endogjenë. Këta janë komponentë të genomës njerëzore të çdo njeriu, kështu që të gjithë ne i kemi ata. Por ata qendrojnë pasivë në genomën tonë. Ata ndoshta kanë lindur në genomën tonë nga infeksionet e të parëve tanë, shumë miliona vjet më parë. E themi këtë sepse këta virusë të fjetur kanë edhe një numër primatësh të ndryshëm. Pra ata në fakt janë shfaqur para ndarjes ndërmjet qënieve njerëzore, të themi, për shëmbull majmunëve apo disa primatëve të tjerë ”-shpjegon zoti Yolken.

Doktori Yolken thotë se virusi i fjetur mbetet pasiv në pjesën më të madhe të njerëzve. Por ai dhe kolegët e tij mendojnë se virusi mund të aktivizohet tek skizofrenët në dy periudha të rëndësishme të jetës, në fëmijërinë e hershme dhe para se të fillojnë haluçinacionet.

Për të parë në se virusi i lashtë i fjetur mund të luajë ndonjë rol në gjendjen shëndetësore të pacientëve, studiuesit bënë analiza të lëngut kurrizor tek 35 pacientë të sapo diagnostikuar me skizofreni. Në rreth 30 përqind të rasteve, studiuesit gjetën prova të pranisë së virusit pasiv. Kurse në lëngun kurrizor të pjesëmarrësve normalë në studim, nuk u zbuluan shenja të virusit pasiv.

Doktori Yolken është i mendimit se si gjithë viruset e fjetur edhe ai që mund të shkaktojë skizofreninë, aktivizohet nga infeksione të tjera virale. “ Pra hipoteza jonë është që njerëzit tek të cilët ne konstatuam aktivizimin e viruseve të fjetur, para se ne të merrnim kontakt me ta, kishin pasur njëfarë infeksioni, që në shumicën e njerëzve do të kishte qenë relativisht i padëmshëm, por që tek këta individë aktivizoi virusin e fjetur dhe bëri që tek ata pastaj të shfaqeshin simptomat e skizofrenisë” - thotë zoti Yolken.

Bashkautori i studimit, E-Fuller Torrey, ka qenë prej kohësh i mendimit se një lloj virusi apo paraziti është ndoshta shkaktari i skizofrenisë. Megjithatë ai tregohet i kujdesshëm përsa u përket zbulimeve më të fundit të grupit të tij. “ Askush nuk po thotë se ne kemi zbuluar shkakun e skizofrenisë. Kjo është një sëmundje e tmerrshme. Mendoj se fakti që ne po bëjmë përparim në përpjekjet tona duhet t’u japë zemër si atyre që vuajnë nga kjo sëmundje, edhe familjarëve të tyre. Unë kam shpresa të mëdha që brenda disa vjetësh do të arrihen suksese të rëndësishme në këtë fushë, si përsa i përket të kuptuarit të shkaqeve ashtu edhe gjetjes së disa kurave më të mira”- thotë zoti Torrey.

Mbështetur në idenë që skizofrenia mund të shkaktohet nga një virus i fjetur, kërkuesit shkencorë kanë në plan që së shpejti të fillojnë prova me ilaçe kundër viruseve të fjetur, për të parë në se këto ilaçe do të jenë më të efektshme sesa ilaçet ekzistuese kundër çrregullimeve mendore, për të qetësuar mundimet që shkakton skizofrenia.

XS
SM
MD
LG