Lidhje

Kalendari historik i datës 16 prill - 2001-04-19


Më 16 prill 1862 presidenti Abraham Linkoln nënshkroi ligjin që hiqte skllavërinë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, Washington. Ligji i ri përmbante një dispozitë, sipas së cilës pronarëve të skllevërve u jepej mesatarisht një shumë prej 400 dollarësh për çdo skllav që ata lironin. Presidenti Linkoln e kishte mbështetur ligjin e ri, si pjesë e përpjekjeve të tij para Luftës Civile, për t’i dhënë fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Linkoln mendonte se jugorët mund të pranonin vullnetarisht t’i jepnin fund skllavërisë, në rast se kjo bëhej gradualisht dhe në se ata kompensoheshin për humbjen e skllevërve të tyre. Por ligji i presidentit Linkoln nuk u pëlqeu jugorëve, të cilët donin vazhdimin e skllavërisë. Ai nuk kënaqi as abolicionistët veriorë, të cilët donin t’i jepej menjëherë fund skllavërisë.

Më 16 prill 1947, disa zjarre dhe shpërthime shkatërruan qytetin port, Texas City, në shtetin Teksas. U desh një muaj për të vlerësuar dëmet dhe numrin e viktimave, që i kapërcenin 500 të vdekur dhe 3 mijë të plagosur. Shpërthimi fillestar ndodhi në anijen franceze të mallrave, Grandcamp, të ankoruar në port. Një zjarr i vogël, që mendohet se nisi nga një cigare e hedhur pa kujdes, arriti deri tek ngarkesa me nitrat amoni e anijes, që po transportohej në Francë për të prodhuar pleh kimik. Nitrati i amonit përdoret gjithashtu edhe për të prodhuar lëndë shpërthyese. Nga ky shpërthim u ndezën zjarre dhe ndodhën shpërthime të tjera në rafineritë kimike dhe të naftës, që gjendeshin pranë dokut ku ishte ankoruar anija franceze. Forca e shpërthimit tronditi ndërtesat që ndodheshin edhe 250 kilometra larg. U desh që pjesa më e madhe e qytetit të Teksasit të rindërtohej.

XS
SM
MD
LG