Lidhje

Imigracioni në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 19-të - 2001-04-19


Numri më i madh i imigrantëve gjatë shekullit të 19 ishte nga Britania. Atyre u dukej e lehtë të vendoseshin në Shtetet e Bashkuara, pasi flisnin të njëjtën gjuhë dhe kishin shumë tradita të përbashkëta. Disa prej imigrantëve të hershëm ishin punëtorë të kualifikuar që gjetën punë të mira në industrinë amerikane. Të tjerët ishin bujq që vinin në Amerikë për të marrë toka falas.

Pas vitit 1880, vala e emigrantëve nga Evropa Qendrore dhe Veriore filloi të binte. Shumica e imigrantëve filloi të vinte tashmë nga Evropa Lindore dhe Jugore, si nga Rusia, Polonia, Romania, Italia apo Greqia.

Imigrantët e rinj ishin të ndryshëm nga të mëparshmit. Shumica nuk flisnin anglisht, ishin bujq të varfër dhe që kishin pak ose aspak arsim.

Megjithatë, ata ishin punëtorë të mirë. Nuk protestonin po të detyroheshin të punonin shumë orë në ditë dhe për një pagë të vogël, nuk kërkonin kushte më të mira pune dhe zakonisht nuk pranonin të hynin në sindikata apo të merrnin pjesë në greva.

Pronarët e fabrikave amerikane ishin të kënaqur me imigrantët e rinj. Ata u dhanë atyre punë që më parë i bënin punëtorët amerikanë të cilët paguheshin më mirë. Pronarët u kërkuan punëtorëve të rinj që t’u shkruanin letra shokëve e miqve të tyre në atdhe dhe t’u kërkonin të vinin në Amerikë.

Dhe ata erdhën me qindra-mijëra për të zënë vendet e punës në uzinat e çelikut në Pensilvani, në minierat e qymyrit në Virxhinia, në stabilimentet e sharrave në Miçigan dhe në fushat e blegëtorisë në Çikago. Punëtorët amerikanë filluan të protestonin, ndërkohë që vendet e tyre të punës po ziheshin nga imigrantët që ishin të kënaqur të punonin edhe me paga më të ulta.

Protestat ishin veçanërisht më të ashpra në Bregun e Paqësorit ku mijëra imigrantë kinezë ishin vendosur në Kaliforni. Kinezët arritën atje pas 1850-ës për të ndihmuar në ndërtimin e hekurudhave perëndimore. Pasi hekurudhat mbaruan, këta punëtorë të rinj kinezë iu rikthyen punëve të tjera. Të tjerë vinin çdo vit. Nga vitet 1870, udhëheqësit politikë të Kalifornisë filluan të kërkonin që t’i jepej fund pranimit të imigrantëve të tjerë nga Kina. Në vitin 1882, kongresi miratoi një ligj që ndalonte për dhjetë vjet pranimin e imigrantëve kinez në Amerikë. Zbatimi i këtij ligji u shty edhe për dhjetë vjetë të tjera dhe më pas u bë i përhershëm.

Ligji për imigracionin, i vitit 1882, vuri kufizime të tjera ndaj imigracionit. Ai ua mbylli dyert shkelësve të rendit, të sëmurëve psiqikë, dhe personave të pa aftë për punë. Më vonë, edhe kufizime të tjera iu shtuan kësaj liste, duke përfshirë mos pranimin e personave me sëmundje, anarkistët dhe alkolistët.

Megjithatë kjo nuk e pakësoi shumë valën e imigrimit nga Evropa Lindore dhe Jugore. Për këtë arsye, kundërshtarët e imigracionit kërkuan ligje më të rrepta.

Disa propozuan që imigrantët të kalonin një provim përsa i përket shkrim dhe këndimit. Imigrantët që nuk e kalonin provimin, nuk lejoheshin të hynin në Shtetet e Bashkuara. U deshën disa vite deri sa kongresi miratoi ligjin që kërkonte që imigrantët t’i nënshtroheshin provimit për shkrim dhe këndim.

XS
SM
MD
LG