Lidhje

Kalendari historik i datës 23 prill - 2001-04-23


45 vjet më parë, më 23 prill, 1956, kryeqyteti i bixhozit amerikan, Las Vegasi, në shtetin Nevada u njoh për herë të parë me këngëtarin fenomenal të muzikës rok and roll, Elvis Presley. Mbreti i Rokut, siç quhej Presley në atë kohë, ishte një nga yjet e muzikës së viteve ’50, fama e të cilit po rritej shumë shpejt. Ai tërhiqte turma entuziaste të rinjsh që e brohorisnin kudo. Në vitin 1956 regjistrimet e këngëve të tij si edhe shfaqjet e tij televizive, gëzonin një popullaritet të jashtëzakonshëm ndërmjet të rinjve. Por më 23 prill, 1956, shfaqja e tij e parë në Las Vegas për spektatorë më të moshuar, nuk pati sukses. Elvisit iu rezervua një dhomë në hotelin New Frontier ku ai do të këndonte në hapje të shfaqjes së komedianit Shecky Greene. Këngët e tij nuk u pritën me entuziazëm. Bile disa nga të pranishmit filluan të fishkëllejnë e të bëjnë zhurmë ndërsa ai rrotullohej duke kënduar në një stil gërshetonte ritmet rrok, bluz dhe muzikën fetare. Presley e plotësoi kontratën dyjavore por ajo ishte një përvojë që ai nuk donte ta përsëriste. Ai nuk dha shfaqje në Las Vegas për 13 vjet deri në vitin 1969. Tani ai kishte një numër më të madh admiruesish, që ishin më të pjekur e më të kohës sesa ata të rinjtë e papërmbajtur që e kishin hyjnëzuar atë në vitet 1950. Ai u bë një nga artistët më popullorë e më të dashur në Las Vegas dhe mbeti i tillë derisa vdiq në vitin 1977.

Më 23 prill 1998, vdiq në moshën 70 vjeçare në një burg të shtetit Tenesi, James Earl Ray, i cili ishte dënuar për vrasje. 29 vjet më parë, Ray kishte pranuar se kishte vrarë udhëheqësin e lëvizjes për të drejtat civile, Martin Luther King. Zoti King u vra me armë zjarri në Memfis të shtetit Tenesi më 4 prill të vitit 1968. Pasi e pranoi fajin, Ray u dënua me 99 vjet burgim. Por brenda disa ditësh ai zuri një avokat tjetër dhe bëri një kërkesë më të cilën tërhiqte pranimin e fajësisë dhe kërkonte përsëritjen e gjyqit. Ray thoshte se e kishin detyruar të pranonte fajësinë. Ai ngulte këmbë se akuza kundër tij ishte e kurdisur dhe se ai ishte viktimë e një komploti më të gjerë. Deri në fund të jetës së tij, ai bëri dhjetra kërkesa të pasuksesshme për tu rigjykuar. Disa amerikanë, ndërmjet të cilëve edhe pjestarë të familjes së zotit King, i mbështetën këto përpjekje. Ata ishin të mendimit se kishte mospërputhje në padinë e ngritur kundër Ray dhe se një rigjykim i çështjes mund të zbulonte një komplot për vrasjen e zotit King.

XS
SM
MD
LG