Lidhje

Zgjedhjet në Mal të Zi - 2001-04-23


Koalicioni për pavarësinë fitoi me një rezultat të ngushtë në zgjedhjet parlamentare. Por ky rezultat nuk ishte ai që dëshironte presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, për realizimin e synimit të shkëputjes nga Jugosllavia.

Politika e zotit Gjukanoviç në kërkim të shkëputjes për të krijuar një shtet të ri ballkanik është bërë tashmë edhe më e vështirë, pasi koalicioni në fuqi, i quajtur “Fitorja i takon Malit të Zi” nuk arriti të marrë dy të tretat e vendeve në parlamentin e Malit të Zi.

Rezultati i befasoi shumë analistë dhe anketues të cilët kishin parashikur një fitore të thellë të presidentit Gjukanoviç dhe të aleatëve të tij.

Shumë votues duket se kanë ndryshuar mendim pasi presidenti jugosllav, Vojisllav Koshtunica, dhe autoritete të tjera paralajmëruan për gjakderdhje të reja në Ballkan nëse Mali i Zi do të vendoste për pavarësi.

Përveç kësaj, shumë malazezë e konsiderojnë veten si serbë dhe gati një milion prej tyre besohet se banojnë në Serbi.

Megjithë dështimin elektoral, presidenti Gjukanoviç u tha përkrahësve të tij se ai do të vazhdojë të luftonte për pavarësinë e Malit të Zi.

Zoti Gjukanoviç ka lënë të kutpohet se ai mund të përpiqet të organizojë një referendum për pavarësinë dhe të shpallë një shtet të ri më 13 korrik, ditën kombëtare të Malit të Zi.

Përkrahësit e partive që janë për ruajtjen e Jugosllavisë, po i gëzohen tashmë rezultatit, të cilin disa e cilësojnë të parakohshëm, duke valvitur flamurë jugosllavë në rrugët e Podgoricës, ndërkohë që janë dëgjuar edhe të shtëna përshëndetëse.

Disa udhëheqës perëndimorë duket se janë të një mendjeje që demokracia e brishtë e Malit të Zi ka nevojë të piqet, dhe ata parapëlqejnë që ky proces të ndodhë në kuadrin e Jugosllavisë.

Presidenti Gjukanoviç ka këmbëngulur që Mali i Zi, për shkak të sipërfaqes së vogël dhe të popullsisë prej vetëm 650 mijë banorësh, nuk mund të jetë kurrë i barabartë me Serbinë brenda një shteti. Ai thotë se Mali i Zi i cili ka ngritur pika të kalimit kufitar ndërmjet dy republikave dhe përdor si monedhë markën gjermane, mund ta ndërtojë demokracinë dhe ta arrijë begatinë më shpejt i shkëputur nga partneri i vet Serbia.

XS
SM
MD
LG