Lidhje

Analizë e rezultateve të zgjedhjeve në Mal të Zi - 2001-04-23


Zoti Gjukanoviç llogariste të arrinte një fitore të pastër në zgjedhje në mënyrë që të siguronte mbështetje për referendumin mbi shkëputjen, referendum që ai ka planifikuar ta mbajë në fund të qershorit ose në fillim të korrikut. Por gjërat nuk u zhvilluan siç dëshironte ai. Koalicioni kundër pavarësisë i befasoi analistët duke marre mbi 40 përqind të votave, krahasuar me rreth 42 përqind që ka marrë blloku pro pavarësisë i zotit Gjukanoviç.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi presidentin Gjukanoviç që të deklaronte dje se është i vendosur të vazhdojë përpjekjet për shkëputjen e Malit të Zi nga federata jugosllave.

“Në këto zgjedhje ne fituam 44 vende. Kjo do të thotë se ne kemi një mandat të fortë për një Mal të Zi të pavarur dhe sovran”, tha zoti Gjukanoviç. Por udhëheqësi i koalicionit kundër shkëputjes, Predrag Bullatoviç, tha se ai është po aq i angazhuar për ta mbajtur Malin e Zi brenda Jugosllavisë. “Ne fituam një betejë politike me të vërtettë të rëndësishme. Ne arritëm ta mbajmë të paprekur Jugosllavinë. Tani ne duhet ta ruajmë besimin se do të fitojmë në të gjitha nivelet politike të vendit”, tha zoti Bullatoviç. Por cili do të jetë fati i Malit të Zi pas këtyre zgjedhjeve? Analisti i Ballkanit, Mike Taylor thotë se çështja nëse malazezët kërkojnë pavarësi apo jo mbeti pa përgjigje. “Problemi në një rast të tillë është se duhet të kesh një rezultat të pastër. Nëse rezultati është 50 përqind pro dhe 50 përqind kundër, atëhere kjo do të ishte recetë për katastrofë. Kjo do të thotë se vendi nuk arrin të vendosë se çfarë kërkon. Pra, do të thotë se duhet të mbetesh aty ku je deri tani”, tha zoti Taylor.

Analisti thotë se si Perëndimi ashtu edhe udhëheqësit serbë e jugosllavë në Beograd janë të kënaqur me rezultatin, e cili e lë pezull të ardhmen e Malit të Zi. Perëndimi nuk donte krijimin e një shteti tjetër në Ballkan, nga frika se kjo mund të krijojë një precedent dhe tu hapë rrugë pasioneve nacionaliste në vende të tjera të Ballkanit. Ndërkohë, udhëheqësit e rinj demokratë në Ballkan, ndonëse kanë premtuar se nuk do të ndërhyjnë në vullnetin e malazezëve, kanë thënë se do të parapëlqenin që Mali i Zi të mbetet brenda federatës.

Tani, zoti Djukanoviç do të përpiqet të krijojë një koalicion qeverisës me Aleancën Liberale e cila favorizon shkëputjen si dhe me partitë shqiptare që po ashtu e përkrahin pavarësinë. Si çmim për mbështetjen e tyre, liberalët kanë kërkuar që zoti Djukanoviç t’i verë në jetë planet për mbajtjen e referendumit për pavarësinë, i cikli sipas pikëpamjes së presidentit Gjukanoviç mund të mos jetë strategjia më e mirë tani për tani, duke patur parasysh rezultatin e ngushtë të zgjedhjeve.

Analisti Mike Taylor thotë se zoti Gjukanoviç ndodhet përballë problemesh të reja nëse ai vazhdon të kërkojë pavarësi. “Edhe në rast se referendumi zhvillohet, atij përsëri do t’i duhet të marrë dy të tretat e votave në parlament dhe me sa duket ai nuk do t’i marrë dot ato. Me sa duket, lobi kundër pavarësisë do të jetë në gjendje ta bllokojë këtë”, tha zoti Taylor. Një diplomat perëndimor në Beograd thotë se ndryshe nga ç’pretendon zoti Gjukanoviç, Jugosllavia nuk ka vdekur, të paktën deri tani. Por ai thotë se rezultati i zgjedhjeve ka sjellë shumë paqartësi. Kjo thotë ai, nuk është gjë e mirë as për Serbinë dhe as për Malin e Zi, të cilat duhet t’i përqendrojnë forcat te reforma ekonomike dhe politike dhe të fillojnë bisedime serioze lidhur me të ardhmen e tyre të përbashkët.

XS
SM
MD
LG