Lidhje

Zgjerimi i Aleancës së Natos - 2001-04-25


Në takimin që do të mbajë vitin e ardhshëm në Pragë, Natoja do të vendosë në se do t’u bëjë ftesë vendeve të tjera për të hyrë në aleancë. Para dy vjetësh, Hungaria, Republika Çeke dhe Polonia u bënë anëtarë të Natos. Nëntë vende të tjera, ndërmjet tyre edhe tri shtetet balltike, po kërkojnë të hyjnë në Nato vitin e ardhshëm.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Nato, Alexander Vershbow, ka thënë se Natoja duhet të analizojë se si zgjerimi në përgjithësi, dhe hyrja e vendeve të veçanta, do t’u shërbejnë interesave të Aleancës. Në këtë drejtim duhet pasur parasysh gërshetimi i përpjekjeve për të shtyrë përpara unifikimin e Evropës dhe ruajtjen e fuqisë ushtarake dhe besueshmërinë e Natos.

Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë e një zgjerimi të mëtejshëm të Natos dhe do të vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar shtetet që aspirojnë të hyjnë në Aleancë të përgatiten për tu anëtarësuar. Këto vende duhet të ecin përpara me reformat ekonomike dhe politike, si edhe përsa i përket modernizimit të mbrojtjes së tyre.

Debati për zgjerim do të ndikohet edhe nga mënyra se si Natoja do të përballojë sfida të tilla si Ballkani. Një tjetër problem është sistemi i mbrojtjes me raketa. Pak nga pak dhe në mënyrë të vazhdueshme Evropa po e pranon se rreziku ekziston dhe se "ne duhet të mblidhemi e të bisedojmë për këtë",ka thënë ambasadori Vershbow. Edhe Rusia e ka pranuar rrezikun e përhapjes së raketave dhe ligjëshmërinë e mbrojtjes nga ky rrezik.

Nato e ka bërë të qartë se zgjerimi i Aleancë nuk kërcënon asnjeri. Natoja kontribuon në ruajtjen e paqes dhe të qendrueshmërisë në Evropë, gjë që është edhe në interes të Rusisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet e Natos me Rusinë. Por ambasadori Vershbow paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen të kujdesshme përballë përpjekjeve të Rusisë për të kërkuar lëshime shtesë nga Natoja, në mënyrë që Moska të miratojë zgjerimin e Aleancës me anëtarë të rinj. Të gjithë aleatët, theksoi ai, janë të palëkundur në bindjen e tyre se Rusia nuk mund të ketë të drejtën e vetos, kur është fjala për zgjerimin e Natos me anëtarë të rinj. Zgjerimi i Aleancës, shtoi zoti Vershbow, është një mjet vendimtar dhe i domosdoshëm, për të ndërtuar një Evropë të bashkuar, të qendrueshme dhe demokratike. Kjo është edhe një nga interesat jetike dhe të përhershme të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG