Lidhje

Universiteti New Mexico - 2001-04-27


Universiteti New Mexico, i themeluar në vitin 1889, pasqyron trashëgiminë e shumëllojshme të këtij shteti. Gjatë semestrave të pranverës dhe të vjeshtës, aty ndjekin studimet rreth 22 mijë studentë nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Ndërmjet tyre edhe 800 studentë të huaj. Edhe studentët amerikanë, të ardhur nga shtete të tjera, mund ta ndiejnë veten si në vend të huaj, kur lëvizin brenda kompleksit të universitetit. Arkitektura e tij e stilit Pueblo, ndryshon nga ajo e shumicës së universiteteve amerikane. Por zëvendësdrejoresha e programeve dhe studimeve ndërkombëtare, Jennifer Grynvald, thotë se zyra e saj harxhon shumë kohë për të ndihmuar studentët e ardhur nga vende të tjera që të njihen dhe ambjentohen me mjediset e universitetit.

“Ne përpiqemi t’u krijojmë studentëve të huaj idenë se ky është universiteti i tyre, komuniteti i tyre. Ne kemi filluar që çdo javë të organizojmë një orë sociale, gjatë së cilës studentë vendas e të huaj kanë rastin të takohen me njëri-tjetrin dhe të qetësohen. Ne bisedojmë me ta për studimet e tyre dhe për statusin e tyre ligjor”, thotë zëvendës drejtoresha.

Zonja Grynvald thotë se studentët e huaj, kryesisht të degëve shkencore dhe inxhinierike, janë nga 70 vende të ndryshme të botës. Shumica e studentëve të huaj janë nga Kina dhe të dytët për nga numri janë studentët që vijnë nga India.

Niranjan Konduri është një student indian i vitit të parë. Ai studion për doktoratë në degën e administratës farmaceutike. Ai thotë se vendosi të ndjekë studimet në këtë universitet pasi i dhanë një bursë të plotë. Zoti Konduri, i cili është rritur në Bombay, thotë se i pëlqen jeta në një qytet të madh, por shton se qyteti më i vogël e më i qetë, Albuquerque, ka të mirat e veta.

“Ajo që unë vlerësoj këtu, thotë ai, janë njerëzit. Ata ndalen dhe të buzëqeshin. Ata të shikojnë drejt në sy dhe janë shumë të hapur ndaj njerëzve të kombësive të tjera”.

Por zoti Konduri thotë se për disa nga shokët e tij nuk ka qenë e lehtë t’i përshtaten mënyrës amerikane të të jetuarit. Ata e kanë të vështirë të krijojnë lidhje me studentë të tjerë amerikanë. Vendosja e lidhjeve të ndërsjella mes studentëve, është një nga objektivat e tjera të Qendrës Ndërkombëtare. Petagogu Fernando Maresma thotë se për këtë qëllim qendra organizon mbrëmje kulturore, gjatë të cilave studentëve të huaj u jepet rasti të shkëmbejnë trashëgimitë kulturore të vendeve të tyre me studentët amerikanë.

“Kështu përr shëmbull, ne u themi një grupi studentësh nga Kili, që të përgatisin një mbrëmje kulturore, me valle, punime artistike, punime artizanati dhe me ushqime nga vendi i tyre. Kjo është një lloj mbrëmjeje kulturore. Pastaj ne ua kalojmë radhën studentëve të një vendi tjetër e kështu me radhë, duke kaluar nga një vend i botës tek tjetri”, thotë petagogu.

Megjithë diferencat kulturore në Universitetin e Nju Meksikos, zoti Konduri thotë se jeta në kompleksin e universitetit është një përvojë pozitive në përgjithësi. Ai mendon se sistemi amerikan i arsimit është një nga më të mirët në botë.Veç kërkesave të tjera mësimore, studentët e ardhshëm ndërkombëtarë të Universitetit të Nju Meksikos, duhet të dinë mirë anglisht për t’u pranuar.

Për shumë studentë të huaj, ndjekja e një universiteti amerikan është një përvojë e pasur, si në nivelin personal edhe në atë profesional. Por, siç thotë edhe zonja Grunvald, kjo është një përvojë pozitive edhe për vetë universitetin.

XS
SM
MD
LG