Lidhje

Biografi e presidentit James Madison - 2001-04-27


Ky vit shënon 250 vjetorin e lindjes së James Madisonit, presidentit të katërt të Shteteve të Bashkuara. I quajtur Babai i Kushtetutës Amerikane, ai ka luajtur rol të rëndësishëm në formimin e bashkimit amerikan. James Madisoni lindi në vitin 1751 në shtetin Virginia. Ai ishte në moshë të re kur Amerika filloi luftën për pavarësi nga Britania. Ai u zgjodh në Asamblenë e Virxhinias në vitin 1776 dhe në Kongresin Kontinental në vitin 1779.

Ky Kongres nuk kishte fuqi të mblidhte taksa dhe të hartonte ligje të detyruara për të 13 shtetet amerikane, që në atë kohë ishin të bashkuar në një konfederatë të lirë. Si rezultat i kësaj ushtria amerikane ishte e pajisur keq dhe në vështirësi të mëdha në luftën e saj kundër forcave ushtarake britanike. Më së fundi amerikanët e mundën Britaninë në vitin 1783. Por dobësitë e sistemit të konfederatës e kishin bërë Madisonin avokat të idesë së një qeverie të fortë federale.

Në vitin 1787 u thirr një kuvend për ta reformuar këtë sistem. Si përfaqësues i shtetit Virginia, James Madisoni ndihmoi në hartimin e një kushtetute, që i jepte më shumë kompetenca qeverisë federale. Por shumë amerikanë i trembeshin një qeverie të fortë kombëtare. Në një sërë shkrimesh të botuara në atë kohë, Madisoni mbronte idenë e ndarjes së pushtetit ndërmjet qeverisë federale dhe qeverive të shteteve dhe për një balancim të pushtetit brenda qeverisë federale ndërmjet degëve legjislative, ekzekutive dhe juridike. Kjo do të parandalonte atë që ai e quante përqendrim tiranik të gjithë pushtetit qeveritar në të njëjtat duar.

Më në fund amerikanët u bindën të miratonin kushtetutën. Por ata kërkonin një mbrojtje të shprehur qartë, të të drejtave të tyre themelore. Si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Madisonit i takon merita e hartimit të 10 amendamenteve të para të Kushtetutës. Këto amendamente, të ratifikuara në vitin 1791, janë garancia e lirisë së çdo amerikani.

I zgjedhur dy herë si president i vendit, James Madisoni i udhëhoqi me sukses Shtetet e Bashkuara në një luftë të dytë me Britaninë dhe në një periudhë begatie. Ai vdiq më 1836.

XS
SM
MD
LG