Lidhje

Marrëdhëniet e Shtëpisë së Bardhë me Kongresin - 2001-04-30


George W. Bushi erdhi në Uashington me premtimin që të ulë tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. Atmosfera është përmirësuar deri diku gjatë 100 ditëve të para të zotit Bush në detyrë por mbetet ende shumë për tu bërë.

Tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit u duk se arritën kulme të reja gjatë presidencës së Klintonit. Në këtë periudhë pati jo vetëm mosmarrëveshje politike, por edhe përsa i përket sjelljes dhe kararkterit të presidentit. Në kohën e zgjedhjeve të vitit 2000 njerëzit dukeshin të lodhur nga lufta politike. George W. Bushi premtoi të krijojë raporte më qytetare.

Ai u paraqit para Kongresit për herë të parë, pas zgjedhjeve më të diskutueshme që mbahen mend në historinë amerikane. Presidenti ishte republikan, po ashtu edhe shumica e Kongresit. Por ndryshimi i rezultateve në zgjedhjet presidenciale dhe ato për në Kongres kishte qenë fare i vogël dhe pakënaqësia vazhdonte. Presidenti i ri, i bëri një thirrje Kongresit.

“Së bashku ne do të ndryshojmë tonin në kryeqytetin e vendit. Dhe kjo frymë respekti dhe bashkëpunimi është jetike, sepse më së fundi ne do të gjykohemi jo nga ato që themi, apo mënyra se si i themi, por nga ato që jemi në gjendje të bëjmë”.

Zoti Bush e dinte se duhej t’u zgjaste dorën demokratëve që në fillim. Me një senat të ndarë barabarë ndërmjet dy partive dhe kur ndryshimi në Dhomën e Përfaqësuesve ishte shumë i vogël, para tij ngrihej detyra e vështirë ta mbante shumicën republikane të bashkuar dhe të tërhiqte një numër sa më të madh demokratësh gjatë votimit të çështjeve kryesore.

Republikanët thonë se përpjekjet e presidentit për të ndryshuar tonin në Uashington, po sjellin ndryshime. Por demokratët vazhdojnë të jenë skeptikë. Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Juanita Millander-McDonald, thotë se presidenti mund të flasë për përmirësimin e atmosferës në Uashington, por ai nuk ka bërë asgjë për të kapërcyer përçarjen politike ndërmjet republikanëve dhe demokratëve. Vetëm propozimet e tij në kongres, duke filluar që nga shkurtimi i taksave e deri tek arsimi, e kanë thelluar më tej këtë përçarje. Zoti Bush, thotë ajo, nuk pranon të bëjë kompromis me demokratët dhe veprat e tij nuk përputhen me premtimet e tij për një ton më të qytetëruar.

Për republikanët ankesa të tilla politike janë diçka e zakonshme. Kryetari i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Arsimin, John Boehner, thotë se presidenti është përpjekur të mos jetë i njëanshëm. Por projekligji për reformën në arsim, i përgatitur nga ky komision, përmban pak, për të mos thënë asnjë nga propozimet e anëtarëve demokratë të komitetit.

Në 100 ditët e para të administratës Bush, shumë anëtarë të Kongresit e pranojnë se ata akoma vazhdojnë të bëjnë vlerësimin e njeriut të ri në Shtëpinë e Bardhë. Dhe ka shenja të forta që tregojnë se presidentit Bush i duhet të mësojë akoma shumë gjëra nga jeta në Kapitol Hill.

Për të kremtuar përfundimin e 100 ditëve të para në detyrë, presidenti Bush ka ftuar të 535 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, në një drekë zyrtare. Veçse ka një problem. Ai ka zgjedhur një ditë kur Kongresi nuk është në sesion dhe shumica e ligjëvënësve kanë detyrime para elektoratit të zonave të tyre. Shumë i kanë shprehur keqardhjen Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se e vlerësojnë ftesën, por politika me qytetarët në vendbanimet e tyre është në plan të parë.

XS
SM
MD
LG